Pa vonesa në kufi, trafiku në vend zhvillohet pa probleme
Trafiku në rrugët shtetërore në vend po zhvillohet pa pengesa, megjithëse rrugët janë të lagura. Sipas njoftimit të Lidhjes Auto-Moto të Maqedonisë (LAMM), intensiteti i trafikut jashtë zonave urbane është mesatar, ndërsa në pikat kufitare, nga ana e RMV-së, nuk raportohen pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Nga LAMM bëjnë të ditur se që nga 14 prilli 2026 kanë nisur punime ndërtimore në Rrugën Shtetërore A2, në segmentin Gostivar – Strazhë, konkretisht në urën nr. 7 (viadukti në Dol). Për shkak të punimeve rehabilituese, në këtë pjesë është vendosur regjim i përkohshëm i trafikut, i cili do të zgjasë deri në përfundimin e aktiviteteve.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve, duke rekomanduar përshtatje të shpejtësisë dhe respektim të sinjalistikës rrugore. Vëmendje e veçantë kërkohet në rrugët që kalojnë nëpër lugina dhe gryka, ku ekziston rrezik për rrëshqitje dheu, sidomos në segmentet: Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Delçevë.

