Gjykata Penale: Parashkruhet një dënim për Gruevskin, dy raste ende aktive
Rasti i njohur si “Dhuna në Qendër” (K.br. 1904/16) lidhet me një dënim prej 1 vit e 6 muaj burg. Procedura për ekzekutimin e këtij dënimi (KUIKP 1094/21) skadon më 10 shtator 2027.
Ndërkohë, në rastin “Vendet në Vodno” (KOK 63/21), është shqiptuar një dënim unik prej 9 vitesh burg (KUIKP 732/23), me afat ekzekutimi deri më 14 shkurt 2043. Për këtë çështje, një gjobë e papaguar është zëvendësuar me 180 ditë burg, e cila skadon më 14 shkurt 2027.
Sa i përket rastit “Tanku” (KOK 59/17), Gjykata njofton se dënimi prej 2 vitesh burg tashmë është parashkruar. Ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm më 4 tetor 2018, ndërsa afati absolut i parashkrimit për ekzekutimin e tij përfundoi më 4 tetor 2024, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal. Për këtë arsye, gjykata ka nxjerrë vendim për ndërprerjen e ekzekutimit të dënimit.
Gjithashtu, Gjykata Penale thekson se ndaj Gruevskit vazhdojnë të jenë aktive edhe procese të tjera gjyqësore, ku ai po gjykohet në mungesë, pasi nuk është i disponueshëm për organet e drejtësisë. Këto përfshijnë rastet e njohura si “Titanik” dhe “Talir 2”.

