Ministria e Drejtësisë: Kërkesa për ekstradimin e Nikolla Gruevskit daton nga viti 2018

Ministria e Drejtësisë: Kërkesa për ekstradimin e Nikolla Gruevskit daton nga viti 2018

Ministria e Drejtësisë njofton se deri më tani është paraqitur një kërkesë për ekstradimin e Nikolla Gruevskit më 20 nëntor 2018, e cila është plotësuar në qershor të vitit 2019. Kërkesa përfshinte të gjitha rastet për të cilat ekzistonin informacione se po zhvilloheshin procedura para autoriteteve gjyqësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht të gjitha rastet për të cilat ishte lëshuar urdhër arresti.

Nga Ministria theksojnë se Republika e Hungarisë e ka refuzuar kërkesën për ekstradim më 5 gusht 2019, me arsyetimin se Nikolla Gruevskit i është dhënë azil sipas legjislacionit hungarez, i cili nuk lejon ekstradimin e personave që gëzojnë një status të tillë në vendin nga janë larguar.

Pas riaktualizimit të çështjes së ekstradimit, i cili erdhi pas rezultateve të zgjedhjeve në Hungari, Ministria e Drejtësisë bën të ditur se po e ndjek vazhdimisht rastin dhe po ndërmerr të gjitha masat në përputhje me ligjin.

Në këtë drejtim, gjatë ditës së nesërme do t’u drejtohet një kërkesë autoriteteve kompetente gjyqësore dhe prokurorive për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për të gjitha rastet që lidhen me Nikolla Gruevskin. Pas pranimit të dokumenteve të kërkuara, Ministria do të veprojë në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi.

MARKETING