(VIDEO) Samiti i IV i Diasporës, Rama: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, popull shtetformues
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Samitin e IV të Diasporës, theksoi rolin e shqiptarëve jashtë vendit dhe në rajon në ndërtimin e së ardhmes së kombit. Rama u shpreh se e ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, por në çdo vend ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Një vëmendje të veçantë kreu i qeverisë i kushtoi shqiptarëve në rajon, duke nisur nga Kosova, të cilën e cilësoi si shtetin tjetër të pavarur të shqiptarëve. Duke u ndalur te Maqedonia e Veriut, Rama theksoi se shqiptarët atje janë një element kyç në shtetin fqinj, duke nënvizuar se ata janë “një popull shtetformues i Republikës”. Ai shtoi se ky realitet nuk duhet harruar nga askush dhe përbën një bazë të rëndësishme për bashkëjetesën dhe zhvillimin e vendit.
EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“E ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, por dhe mnë Romë, Athinë, Londër, Zyrih, Neë York, Berlin, në çdo vend ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ëndërrojnë. Por e ardhmja e Shqipërisë shkruhet kudo shqiptarët jetojnë rreth e rrotull kufijve të Shqipërisë, duke filluar nga shteti tjetër i pavarur i shqiptarëve, Kosova dhe pastaj dhe duke vazhduar me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët s’duhet ta harrojë askush janë një popull shtetformues i Republikës fqinje dhe mike e duke vazhduar dhe me shqiptarët në Mal të Zi e gjetkë”.
Kryeministri përmendi gjithashtu edhe shqiptarët në Mali i Zi dhe në treva të tjera, duke theksuar se shqiptarët kudo që jetojnë janë pjesë e të njëjtit identitet dhe kontribuojnë në forcimin e lidhjeve kombëtare.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, theksoi se historia e diasporës është histori sakrifice, qëndrese dhe përkushtimi. Ai shtoi se ky samit është një pikë takimi në mënyrë që sipas tij vizioni i përbashkët të kthehet në bashkëveprim.
Sipas organizatorëve, ky samit është një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve kudo në botë. /SHENJA/

