(VIDEO) Gashi: Shpërngulja te shqiptarët e RMV-së kombinim faktorësh ekonomik dhe politik
Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po zhvillohet sot Samiti i katër i Diasporës Shqiptare, ku po marrin pjesë edhe përfaqësuesit politik shqiptar. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në kuadër të fjalimit të mbajtur në këtë samit, ka theksuar rëndësinë e diasporës dhe nevojën për forcimin e lidhjeve me qytetarët që jetojnë jashtë vendit. Gashi e cilësoi diasporën si një pjesë të pandashme të identitetit, duke u shprehur optimist për rikthimin dhe rilidhjen e shqiptarëve që kanë emigruar ndër vite.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Në analizën time, më del se shpërngulja nga shteti shqiptar ka ndodhur pas viteve ’90 për arsye ekonomike. Në Kosovë ka një kombinim faktorësh ku dominon faktori politik ai i shpërnguljes së dhunshme që fillon në regjimin e Millosheviçqit, ndërsa te shqiptarët e Maqedonisë është kombinim faktorësh ekonomik dhe politik e institucional”.
Në këtë samit mori pjesë edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili e cilësoi këtë ngjarje si, urë bashkimi për shqiptarët kudo që ndodhen, duke forcuar bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe angazhimin e përbashkët për zhvillimin e kombit dhe të ardhmen evropiane. Ndërkaq, në kuadër të samitit, ai realizoi edhe një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ali Ahmeti, BDI
“Si gjithmonë, kënaqësi e veçantë, takimi me kryeministrin e Shqipërisë, mikun tim, Edi Rama. Bisedë e hapur për çështje me interes të përbashkët, me fokus në forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar, ruajtjen e vlerave tona kombëtare dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit. Me përkushtim për unitet, zhvillim dhe të ardhmen tonë të përbashkët!”
Samiti i Diasporës Shqiptare që do të mbahet deri më 15 prill organizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Sipas organizatorëve, ky samit është një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve kudo në botë.
Teuta Buçi /SHENJA/

