MPB: Katër persona të ndaluar për dhunë në familje brenda 24 orëve, gjithsej shtatë denoncime
MARKETING
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar shtatë raste të dhunës në familje, ndërsa katër persona janë privuar nga liria.
MARKETING
Sipas policisë, më 6 prill 2026, rreth orës 16:30 në Shkup, në zonën e Gazi Babës, është arrestuar M.A. (53), pasi paraprakisht kishte thyer xhamat e shtëpisë me sëpatë dhe më pas kishte kërcënuar me thikë djalin e tij 21-vjeçar. Me të mbërritur policia, ai ka tentuar të sulmojë edhe nëpunësit policorë, duke ngritur dorën me thikë dhe duke u drejtuar kërcënime.
Një tjetër rast është denoncuar më 7 prill, rreth orës 00:30, kur një grua 32-vjeçare raportoi se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj në shtëpinë e tyre në rrethinën e Shkupit.
Po ashtu, më 6 prill në orën 15:00, një 23-vjeçare ka denoncuar se një ditë më parë ishte sulmuar fizikisht në shtëpi, në zonën e Draçevës, nga partneri i saj jashtëmartesor D.A. (24). Ajo ka deklaruar se ishte përballur edhe më herët me dhunë fizike dhe psikologjike nga ai, si dhe nga anëtarë të familjes së tij, por nuk kishte raportuar rastin deri tani.
Në Kumanovë, një grua 33-vjeçare ka denoncuar se është sulmuar nga bashkëshorti i saj, ndërsa më vonë, rreth orës 23:00, policia ka arrestuar N.M. (53), i cili kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij 77-vjeçare.
Në Manastir, më 6 prill rreth orës 22:30, është ndaluar një burrë 40-vjeçar, pasi kishte kërcënuar bashkëshorten e tij, me të cilën ndodhet në procedurë divorci.
Ndërkohë, në Rosoman, një grua 46-vjeçare është arrestuar pasi kishte kërcënuar vjehrrën e saj 81-vjeçare. Ajo është ndaluar në stacion policor dhe për rastin është njoftuar prokurori publik.
Nga MPB bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rasteve dhe, pas dokumentimit të tyre, ndaj të dyshuarve do të ngrihen kallëzime përkatëse.

