(VIDEO) Maqedonia e Veriut mbetet nën mesataren e BE-së për mirëqenie ekonomike
MARKETING
Të dhënat më të fundit të Eurostat për vitin 2025 tregojnë se Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian për Bruto Prodhimin Vendor (BPV) për frymë, duke reflektuar hendekun ekonomik mes vendeve të rajonit dhe atyre të zhvilluara evropiane. BPV për frymë, i shprehur në standarde të fuqisë blerëse, ka shënuar dallime të mëdha në të gjithë Evropën. Mesatarja e BE-së është vendosur në indeksin 100, ndërsa vendet më të zhvilluara si Luksemburgu dhe Irlanda e tejkalojnë këtë nivel me më shumë se dyfish.
MARKETING
Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në BE, arrin vetëm 42 për qind të mesatares evropiane të BPV-së për frymë, duke u renditur në mesin e vendeve me nivel më të ulët ekonomik në kontinent. E njëjta përqindje vlen edhe për Shqipërinë, ndërsa vendet e tjera të rajonit si Serbia dhe Mali i Zi qëndrojnë disi më mirë, por ende larg standardeve të BE-së.
Raporti thekson se dallimet ekonomike midis vendeve burojnë kryesisht nga produktiviteti i punës dhe niveli i punësimit. Vendet e Evropës Lindore, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, vazhdojnë të përballen me sfida strukturore që ndikojnë në rritjen ekonomike dhe standardin e jetesës.
Ndërkohë, në vitin 2025 vetëm 10 nga 27 vendet anëtare të BE-së janë mbi mesataren, duke përfshirë rreth një të tretën e popullsisë së Unionit. Kjo tregon për pabarazi të theksuara ekonomike brenda vetë BE-së, por edhe një hendek të madh me vendet që synojnë anëtarësimin.
Të dhënat e shprehura në euro tregojnë se mesatarja e BPV-së për frymë në BE arrin rreth 41.600 euro, ndërsa në vendet më të zhvilluara kjo shifër i afrohet ose tejkalon 100 mijë euro. Për vendet si Maqedonia e Veriut, këto nivele mbeten ende objektiv afatgjatë. /SHENJA/

