(VIDEO) LSDM dhe VMRO përplasen për drejtorin që mori ryshfet
MARKETING
Gjykata Themelore Penale në Shkup, njofton se drejtorit aktual të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, i është caktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh, pasi u arrestua në një aksion ku dyshohet për marrje ryshfeti. Sipas tyre, vendimi është marrë mbi të tre bazat – rreziku i arratisjes, ndikimi mbi dëshmitarët dhe rreziku i përsëritjes së veprës.
MARKETING
Nga atje sqarojnë se gjatë muajit mars, drejtori kishte kërkuar para për, siç thekson prokuroria, të “kryejë një veprim zyrtar që do të duhej ta kryente”. Konkretisht, ai kishte ushtruar presion ndaj zyrtarëve që të mos lejonin importin e një malli të caktuar, edhe pse ai ishte importuar shumë herë më parë. Ndaj kompanisë së dëmtuar që importonte mallin, drejtori pretendonte se ai nuk ishte në përputhje me rregulloret ligjore. Si rezultat i presioneve, malli kishte mbetur për disa ditë në kufi.
Kur kompania kërkoi shpjegim, sipas prokurorisë, drejtori kërkoi ryshfet.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Më 13.03.2026 ishte miratuar hyrja e mallit në një pikë tjetër kufitare, ndërsa i dyshuari në një takim me shpediterin dhe importuesin e dëmtuar kërkoi drejtpërdrejt ryshfet për importin e miratuar dhe për importet e ardhshme, duke kërkuar që kësti i parë prej 50.000 euro t’i jepej deri më 19 mars, ndërsa dy këstet e tjera në ditët në vijim”.
Ky rast nuk ka kaluar pa u komentuar dhe pa u përlasur nga partitë rivale maqedonase, gjegjishtë LSDM-së opozitare dhe VMRO-DPMNE-së që është në pushtet.
Partia opozitare maqedonase LSDM, kërkon një hetim të detajuar për rastin. Ata kërkojnë që hetimi të përcaktojë përgjegjësi për të gjithë të përfshirët në rast. Rastin me Anakievin, opozitarët e quajtën edhe një dëshmi tjetër të funksionimit të, siç thonë ata, një grupi të organizuar kriminal – VMRO.
LSDM
“Vetëm disa muaj më parë ndodhi një skandal korrupsioni, në të cilin drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi gjithashtu u arrestua për ryshfet prej 50.000 eurosh. Për shkak të këtij skandali korrupsioni, u pezullua programi IPARD 3 me vlerë 130 milionë euro. Me bllokimin e programit IPARD 3, uljen e subvencioneve për 40 për qind dhe uljen e çmimeve të blerjes, për shkak të kriminelëve në pushtet po vuajnë bujqit.”
Ndërkaq, Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE, theksoi se LSDM sillet në mënyrë joserioze dhe i politizon rastet e krimit dhe korrupsionit. Sipas tij, LSDM nuk është distancuar nga rastet kur persona të lidhur me ta janë dyshuar për krim.
VALENTIN MANASIEVSKI, VMRO-DPMNE
“LSDM gëzohet si një fëmijë i vogël kur shfaqet një rast krimi, veçanërisht nëse përpiqet ta lidhë atë me VMRO-DPMNE-në. Në vend të parimeve, ata tregojnë standarde të dyfishta. Kur arrestoheshin funksionarët e tyre, si Artan Grubi, nuk dëgjuam dënim apo distancim, por vetëm mbrojtje”.
Manasievski tha se kushdo që ka shkelur ligjin, pavarësisht nëse është nga LSDM, VMRO-DPMNE apo ndonjë parti tjetër, duhet të mbajë përgjegjësi, pasi sipas tij, ligji vlen për të gjithë dhe nuk ka të privilegjuar.
Samir Mustafa /SHENJA/

