Ai që foli me Zotin dhe me tiranin: Një bisedë me Musain a.s.
MARKETING
Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti
MARKETING
Thonë se ai ende qëndron në atë luginën e shenjtë të Tuva-s, ku dikur zbathi sandalet para Dritës së Padukshme. Jo si hije e lavdisë së dikurshme, por si kujtim i gjallë se çfarë do të thotë të jesh bisedues me Zotin dhe çlirimtar i një kombi. E megjithatë, kur takohesh me të, sytë e tij nuk janë sytë e dikujt që ndau detin me shkop dhe sfidoi Faraonin. Janë si dy dritare që shohin njëkohësisht lartësinë e qiellit dhe thellësinë e humbjes njerëzore. Rreth nesh, era e Sinait sjell erën e mannës dhe selvasë, dhe kujtimin e një populli që pa mrekulli por deshi viçin. Ulem pranë tij nën hijen e një peme që dikur ishte shkurre e zjarrtë që nuk digjej.
Unë: O Musa, o bir i Imranit, o bisedues me Zotin, ty të thërrasin. Thuhet se ti je i vetmi njeri që fole me Zotin pa perde, në atë luginë ku shkurra flakëronte por nuk digjej. Si është të dëgjosh zërin e Krijuesit në veshët prej balte?
Musai a.s.: (Fytyra e tij rrezaton një dritë që nuk vjen nga kjo botë) Unë isha bari, o bir. Endesha nëpër ato shkretëtira për t’u kthyer ne Egjipt me zonjën time, të bijën e Shuajbit. Një ditë, pashë një zjarr në largësi. Thashë me vete: “Ndoshta gjej ndonjë lajm, ose një urë zjarri për t’u ngrohur” . Por kur u afrova, zëri erdhi: “O Musa, unë jam Zoti yt, hiq sandalet se je në luginën e shenjtë Tuva” . Dhe unë, o bir, u drodha si të më kishte kapur tërë universi në pëllëmbë. Por nuk ishte frikë që të ikësh. Ishte frikë që të rrëzon në sexhde dhe të mos ngrihesh më. Zoti më pyeti: “Çfarë ke në dorën e djathtë?” . Unë thashë: “Ky është shkopi im, mbështetem në të, rrëzoj gjethe për delet dhe kam nevoja të tjera” . Dhe Ai tha: “Hidhe atë, o Musa” . E hodha. Dhe shkopi u bë gjarpër që lëvizte. Unë ika me vrap. Por Ai më tha: “Kthehu dhe mos ki frikë, ti je i sigurt” . Dhe pastaj më tha: “Fute dorën në xhep, do të dalë e bardhë pa sëmundje. Këto janë dy shenja nga Zoti yt për Faraonin dhe parinë e tij” .
Unë: Faraoni… ai që thoshte “Unë jam zoti juaj më i lartë” . Si ishte të hysh në pallatin e tij me atë shkop që kishte qenë gjarpër?
Musai a.s.: (Psherëtimë e thellë) Unë i thashë Zotit: “O Zot, unë vrava një njeri nga ata dhe kam frikë se do më vrasin. Vëllai im Haruni është më elokuent se unë, dërgoje me mua” . Dhe Zoti ma plotësoi lutjen. Shkuan bashkë, unë me zemër që rrihte si daulle e ditës së gjyqit, dhe Haruni me fjalën e tij të ëmbël. Hymë tek ai dhe i thamë: “Ne jemi të dërguar të Zotit të botëve. Lëri bijtë e Izraelit të vijnë me ne” . Ai na shikoi me përbuzje dhe tha: “A nuk të rritëm ne në mesin tonë si fëmijë? A nuk qëndrove ti me ne vite të tëra? Dhe pastaj bëre atë që bëre, duke vrarë një njeri. Ti je mosmirënjohës” . Unë i thashë: “E bëra atë në hamendje. Por Zoti im më dhuroi urtësi dhe më bëri pejgamber” .
Unë: Dhe ai kërkoi shenja. Ti i tregove mrekullitë.
Musai a.s.: Po. Hodha shkopin dhe u bë gjarpër i madh. Nxora dorën dhe ajo shkëlqeu si dielli. Por ai tha: “Kjo është magji. Mblidhni të gjithë magjistarët e vendit” . Dhe erdhi dita e madhe, dita e festivalit. Gjithë Egjipti ishte mbledhur. Magjistarët hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre, dhe ne pamë gjarpërinj që lëviznin. Unë pëshpërita: “O Zot, çfarë të bëj?” . Dhe zëri erdhi: “Mos ki frikë, ti je fitues. Hidhe atë që ke në dorën e djathtë” . E hodha. Dhe gjarpri im gëllliti gjithçka që kishin bërë ata. Magjistarët u hodhën përtokë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait” . Faraoni u tërbua. I kërcënoi se do t’u priste duart dhe këmbët kryq dhe do t’i kryqëzonte . Por ata nuk u zmbrapsën. Thanë: “Ne kthehemi te Zoti ynë. Ti po hakmerresh ndaj nesh vetëm se besuam në shenjat e Zotit tonë” .
Unë: Por Faraoni nuk u bind. Pastaj erdhën vitet e thatësirës, pastaj përmbytja, karkalecat, morrat, bretkosat, gjaku. Nëntë shenja .
Musai a.s.: Po, nëntë shenja . Çdo herë që vinte një dënim, ata thërrisnin: “O Musa, lutju Zotit tënd për ne, do të besojmë”. Dhe unë lutesha. Por kur dënimi largohej, ata e thyenin premtimin. Derisa Zoti im urdhëroi: “Dil natën me robërit e Mi, se do të ndiqeni” .
Unë: Deti… si ishte ai çast kur u gjendët me detin përpara dhe ushtrinë prapa?
Musai a.s.: (Sytë i shkëlqejnë fort) Populli im filloi të ankohej. Thanë: “O Musa, na zunë. Përpara është deti, prapa është Faraoni”. Unë thashë: “Kurrë! Me mua është Zoti im, Ai do më udhëzojë” . Atëherë Zoti më shpalli: “Bjeri detit me shkopin tënd” . Unë e godita. Dhe deti u nda në dymbëdhjetë rrugë, secila si mal i madh. Uji qëndronte në këmbë si mure kristali. Dhe unë thashë: “Kaloni, o bij të Izraelit, se kjo është mëshira e Zotit” . Kur dolëm nga ana tjetër, Faraoni hyri pas nesh me ushtrinë e tij. Dhe valët u mbyllën mbi ta. Në çastin e fundit, ai tha: “Besoj se nuk ka zot tjetër përveç Atij që besojnë bijtë e Izraelit, dhe unë jam prej muslimanëve” . Por zëri erdhi: “Tani po? Ndërsa më parë nuk besove dhe ishe prej shkatërrimtarëve? Sot po shpëtojmë trupin tënd që të jesh shenjë për ata pas teje” .
Unë: Dhe pas detit, filloi sprova më e madhe. Një popull i tërë që kishte parë mrekulli, por zemrat e tyre mbetën të lidhura me Egjiptin.
Musai a.s.: (Psherëtimë e rëndë) O bir, ti ke prekur pikën më të dhimbshme. Unë i thashë Zotit: “Zoti im, më jep një libër që ta udhëzoj këtë popull”. Dhe Ai më thirri në Tur për dyzet netë. Para se të nisesha, lashë Harunin pas me porosi: “Më zëvendëso dhe mos ndiq rrugën e shkatërrimtarëve” . Por unë nuk e dija se çfarë po ndodhte pas meje.
Unë: Viçi… ari që pëshpëriti.
Musai a.s.: (Zëri i dridhet) Një njeri i quajtur Samirij, që kishte parë engjëllin Xhibril mbi kalë gjatë kalimit të detit, mori një grusht pluhur nga gjurma e thundrës së kalit të tij . Kur unë u largova, ai mblodhi stolitë e arit që populli im kishte marrë nga egjiptianët dhe shkriu një viç. Pastaj hodhi atë pluhur në gojën e viçit dhe ai nisi të pëshpëriste, të bënte një zë si të gjallë . Dhe populli im, ata që kishin parë detin e ndarë, që kishin ngrënë mannë dhe selva nga qielli, ranë në sexhde para atij viçi. Thanë: “Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait, por Musai e harroi” .
Unë: Dhe Haruni? Çfarë bëri Haruni?
Musai a.s.: Haruni u përpoq. U tha: “O populli im, ju po sprovoheni me të. Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, ndiqmëni mua” . Por ata thanë: “Nuk do të ndahemi nga adhurimi i tij derisa të kthehet Musa” . Dhe Haruni mbeti i vetëm, i pafuqishëm para tyre.
Unë: Kur u ktheve dhe pe atë pamje, çfarë ndodhi?
Musai a.s.: (Lotët i rrjedhin ngadalë) Unë rashë në zemërim dhe pikëllim. Shtrëngova mjekrën e Harunit dhe i thashë: “O bir i nënës sime, përse më le të më poshtërojnë?” . Ai tha: “O bir i nënës sime, mos më kap mjekrën. Populli më poshtëroi dhe gati më vranë” . Atëherë unë u qetësova dhe thashë: “Zoti im, falmë mua dhe vëllain tim” . Pastaj shkova te Samirij. E pyeta: “Çfarë ke ti, o Samirij?” . Ai tha: “Unë pashë atë që ata nuk panë. Mora një grusht pluhur nga gjurma e të dërguarit dhe e hodha. Kështu më nxiti vetja ime” . Unë i thashë: “Ik pra! Në këtë jetë ke vetëm të thuash ‘Mos më prekni’. Dhe ke një premtim që nuk do të thyhet. Shiko zotin tënd që adhurove, ne do ta djegim dhe do ta shpërndajmë në det” .
Unë: Dhe pastaj, ti zgjodhe shtatëdhjetë burra për t’u penduar para Zotit.
Musai a.s.: (Psherëtimë) Po. Shkuam në Tur për t’u penduar. Por ata thanë: “O Musa, ne nuk do të besojmë derisa të shohim Zotin haptas” . Atëherë rrufeja i kapi dhe ata vdiqën. Unë rashë përtokë dhe thashë: “Zoti im, po të doje, do t’i kishhe shkatërruar më parë mua dhe ata. A do të na shkatërrosh për atë që bënë mendjelehtët tanë?” . Dhe Zoti i ringjalli përsëri, si mëshirë .
Unë: Thuhet se ti pas gjithë kësaj, vazhdove të udhëhiqje popullin tënd në shkretëtirë për dyzet vjet, duke ngrënë mannë dhe selva, duke pirë nga guri që rrodhi për ta .
Musai a.s.: Dyzet vjet bredhje, o bir. Dyzet vjet duke pritur që një brez i tërë të vdiste dhe një brez i ri të rritej me mendje të pastër. Unë i thashë Zotit: “Pse na dërgove në këtë shkretëtirë?” Dhe Ai më tha: “Sepse ata nuk ishin gati për tokën e shenjtë. Aty jetojnë popuj të fortë dhe ata kanë frikë. Do të bredhin dyzet vjet derisa të rritet një brez i ri që nuk njeh robërinë e Egjiptit” . Dhe unë pranova. Sepse pejgamberi nuk zgjedh, ai zbaton.
Unë: Një pyetje të fundit për ditët tona. Ti ke parë tiraninë më të madhe, por edhe marrëzinë më të madhe të një populli që adhuroi viçin pasi pa mrekulli. Çfarë u thua atyre që sot adhurojnë viça të tjerë: para, pushtet, epshe?
Musai a.s.: (Ngrihet dhe shikon nga horizonti ku dielli perëndon mbi Sinai) Thuaju: Viçi i Samiri jut nuk pëshpërit më, por pëshpëritjet e tij janë më të shumta. Çdo gjë që zë vendin e Zotit në zemrën tuaj, është viç. Paramendoni se jeni duke pritur dyzet netë, dhe dikush ju thotë: “Ky është zoti juaj”. Dhe ju harroni detin e ndarë, harroni mannën nga qielli, harroni gjithçka. Kjo është natyra njerëzore, o bir. Por unë ju lë porosi: Kur të largohet udhëheqësi juaj, mos e ndërroni besën. Kur të kthehet, mos i thoni “Na i harrove zotat”. Dhe mbi të gjitha, mbani mend se udhëtimi në shkretëtirë zgjat dyzet vjet, por toka e shenjtë pret në fund. Mos u ktheni prapa në Egjipt, edhe nëse rruga duket e gjatë.
Unë: Dhe ti, o Musa, ku je tani?
Musai a.s.: (Filloi të bëhet i tejdukshëm, duke u përzier me dritën e muzgut) Unë jam në çdo fëmijë që hidhet në Nil dhe Zoti e kthen në pallat. Unë jam në çdo bari që sheh zjarr në shkurre dhe kupton se Zoti flet edhe në gjërat më të vogla. Unë jam në çdo njeri që ndan detin e pamundësisë me shkopin e besimit. Dhe kur të dëgjosh ndonjë zë që thotë: “Unë jam Zoti yt”, mos u tremb. Zbathi sandalet, se toka që shkel është e shenjtë. Dhe shko te Faraoni i kohës tënde, pa frikë. Sepse me ty është Ai që e ktheu detin në rrugë dhe shkopin në gjarpër.
(U zhduk si një pëshpëritje në erën e mbrëmjes mbi Sinaj, duke lënë pas vetëm erën e mannës dhe një kujtim se diku, në fillim të kohës, një bari kishte folur me Zotin dhe nuk kishte vdekur. Dhe unë kuptova se çdo njeri mban brenda një Musa që pret të zbathë sandalet para Dritës, dhe një Faraon që duhet të mbytet në detin e vetvetes.)

