(VIDEO) Skemë mashtruese me aksidente të rreme, zhvaten mbi 60 mijë euro nga qytetarët
“Familjari juaj ka bërë aksident, duhen para për operacion”, këto kanë qen fjalët që disa mashtrues i kanë përdorur, duke i telefonuar mbi dhjetë qytetarëve nga të cilët kanë marrë më shumë se 60 mijë euro. Bëhet fjalë për një skemë të organizuar mashtrimi, ku qytetarët mashtroheshin përmes aksidenteve të rreme trafiku, që është zbuluar nga autoritetet hetimore në Manastir.
Rastet janë zbuluar nga Qendra Hetimore pranë prokurorisë dhe Shërbimit Penal Publik në Manastir. Sipas prokurorëve, numri i këtyre mashtrimeve është rritur ndjeshëm që nga fillimi i muajit shkurt, kur janë regjistruar edhe gjashtë raste të reja me të njëjtën metodë. Në shumicën e rasteve, viktimat kanë qenë persona të moshuar. Ata kanë marrë telefonata nga persona të panjohur, të cilët u kanë thënë se një i afërm i tyre ka pësuar lëndime të rënda në një aksident trafiku dhe se nevojiten urgjentisht para për një operacion. Në disa raste të tjera, mashtruesit u kanë thënë viktimave se familjarët e tyre kanë shkaktuar një aksident me pasoja të rënda dhe se paratë nevojiten për të shmangur burgimin.
PROKURIA PUBLIKE-MANASTIR
“Të frikësuar për fatin e të afërmve të tyre, qytetarët kanë pranuar të japin shuma të ndryshme parash – nga disa dhjetëra mijëra denarë deri në mbi 20 mijë euro, si dhe bizhuteri ari dhe sende të tjera me vlerë”.
Prokuroria sqaroi se paratë u janë dorëzuar në lokacione të ndryshme në Manastir, personave që më parë ishin rekrutuar përmes shpalljeve për punë në rrjetin social Facebook.
Deri më tani, prokuroria ka ngritur akuza kundër katër personave që dyshohet se kanë marrë drejtpërdrejt paratë nga qytetarët e mashtruar dhe që ndiqen penalisht si bashkëpunëtorë në mashtrim. Sipas hetimeve, paratë më pas janë transferuar te një person ende i paidentifikuar në Bullgari. Autoritetet kanë konstatuar gjithashtu se në të gjitha rastet janë përdorur numra telefoni nga Rumania për të kontaktuar viktimat. Për këtë arsye, Prokuroria e Manastirit ka kërkuar ndihmë juridike ndërkombëtare nga autoritetet e këtyre vendeve për identifikimin e organizatorëve të skemës.
Ndërkohë, organet hetimore apelojnë tek qytetarët që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe të mos pranojnë të dorëzojnë para “në dorë” te persona që nuk i njohin.
Samir Mustafa /SHENJA/

