Hamza: Nuk ka marrëveshje për kandidat për president, të tjerat janë spekulime

Hamza: Nuk ka marrëveshje për kandidat për president, të tjerat janë spekulime

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka theksuar se nuk ka arritur ndonjë marrëveshje për kandidaturën për presidentin e Kosovës.

Ai këtë deklaratë e dha ndërsa po hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku do t’i bashkohej mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së.

Hamza sqaroi se partia e tij nuk ka propozuar ende një kandidat konkret për postin e presidentit dhe se asnjë diskutim për emra nuk ka arritur në fazën e propozimeve.

Ai theksoi se për momentin janë diskutuar vetëm parimet, duke shtuar se PDK-ja dëshiron që të ketë një president që do të jetë një figurë dinjitoze dhe e respektuar.

“Jo, s’ka marrëveshje. Se kemi propozuar se s’kemi mbërritur fare te propozimi. Kemi folur për parim. Kemi kërkuar që kandidati për president të jetë nga radhët e PDK-së, një emër i dinjitetshëm që nuk do të thotë se duhet të jetë domosdoshmërisht brenda strukturave të PDK-së, por mund të jetë edhe jashtë tyre, kushdo që i ka atributet dhe cilësitë që duhet t’i ketë një president”, tha Hamza.

Ai shtoi se, për momentin, gjithçka që ka qarkulluar në media për mundësitë e kandidatëve është thjesht spekulim dhe se PDK nuk ka bërë asnjë lëvizje formale për të propozuar ndonjë emër pa një marrëveshje paraprake brenda partisë.

MARKETING