Mickoski: Mbi 17 investime në Zonat Industriale do të krijojnë deri në 5.000 vende të reja pune
Kryeministri Hristijan Mickoski sot kumtoi se portofoli i Zonave Zhvillimore Teknologjike dhe Industriale përmban mbi 17 projekte, investime me vlerë prej gjithsej 650 milionë euro, të cilat duhet të krijojnë deri në 5.000 vende të reja pune.
“Investimet të cilat ose kanë filluar, ose po realizohen, ose janë në fazë të negocimit për ndihmë shtetërore, e që janë pjesë e portfolios së zonave ZZHTI, arrijnë vlerën rreth 650 milionë euro. Bëhet fjalë për 17 projekte që duhet të krijojnë deri në 5.000 vende të reja pune, ndërsa në pjesën e eksportit pritet ta rrisin atë për rreth 2% të BPV-së, konkretisht në vlerë prej rreth 400 milionë dollarë eksport shtesë në fillim, e që do të arrinte deri në një miliard euro. Këto janë investimet në zonat ZZHTI”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në seancën për pyetje të deputetëve, duke shtuar se ka investime edhe jashtë zonave.
Mickoski njoftoi se së shpejti do të fillojë ndërtimi i parkut me erë, investim i kompanisë Alkazar, i cili këto ditë pritet të marrë lejen e ndërtimit.
“Pres që vetëm këtë vit të kemi 150 milionë dollarë të reja, pasi kjo nuk mund të realizohet brenda pak muajsh, ndërtimi do të zgjasë disa vite, ndërsa funksionalitetin e plotë e pres në fillim të vitit 2028. Ai do të kyçet gradualisht në rrjet edhe gjatë vitit 2027, por fuqinë e tij të plotë, 100%, e pres në fillim të vitit 2029”, potencoi Mickoski.

