Kremlini pranon rënien e të ardhurave nga nafta dhe gazi

Kremlini pranon rënien e të ardhurave nga nafta dhe gazi

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov pranoi sot se të ardhurat e Rusisë nga shitja e burimeve energjetike u përgjysmuan krahasuar me vitin 2025, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për mediat në Moskë, Peskov mbrojti idenë se humbjet u kompensuan nga të ardhura të tjera dhe se ekonomia ruse mbetet e qëndrueshme. “Në të vërtetë, ka rënie të të ardhurave nga nafta dhe gazi, e kompensuar pjesërisht nga një rritje e të ardhurave jo-naftës dhe gazit”, tha ai.

Më 6 shkurt, Ministria ruse e Financave njoftoi se të ardhurat e buxhetit federal në janar janë 50.2 për qind më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Përveç kësaj, ministri i Financave, Anton Siluanov deklaroi se pjesa e të ardhurave nga shitja e burimeve energjetike në buxhetin federal mund të bie në 20 për qind në vitin 2026.

Vendet perëndimore kanë intensifikuar përpjekjet për të shënjestruar eksportet e energjisë së Rusisë gjatë vitit të kaluar, përfshirë vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj cisternave që transportojnë naftë dhe gaz, rritjen e kostove të sigurimit dhe ndalimin e hyrjeve në porte.

Peskov konfirmoi ekzistencën e një deficiti buxhetor, por i përshkroi vështirësitë si të përkohshme, duke shtuar se “stabiliteti makroekonomik na lejon ta zgjidhim atë duke marrë masat e nevojshme”. Ai potencoi se presidenti Vladimir Putin “e mban gishtin në puls” dhe diskuton rregullisht deficitin buxhetor dhe financimin e tij me qeverinë dhe Bankën Qendrore.

“Në përgjithësi, stabiliteti i ekonomisë ruse është absolutisht i garantuar. Ai siguron aftësinë e shtetit për të përmbushur të gjitha detyrimet sociale dhe për të formësuar axhendën e zhvillimit ekonomik, pavarësisht vështirësive të caktuara nga të cilat askush nuk është imun”, tha ai.

Duke iu referuar Bordit të Paqes të udhëhequr nga SHBA-ja, Peskov tha se Ministria e Jashtme Ruse po përgatit vlerësimet e saj për strukturën. “Ministria e Jashtme është ende duke formuluar një qëndrim. Një numër shtetesh, përfshirë ato që janë miqësore me ne, kanë një qëndrim shumë të paqartë. Të gjitha merren parasysh”, shtoi ai.

Bordi i Paqes u krijua zyrtarisht më 22 janar, kur 19 vende nënshkruan kartën e tij në Davos.

Fillimisht, struktura u krijua për të qeverisur Rripin e Gazës brenda kuadrit të marrëveshjeve midis Izraelit dhe Hamasit, një format i miratuar nga OKB-ja. Megjithatë, Washingtoni po promovon në mënyrë aktive idenë e përdorimit të këshillit për të parandaluar dhe zgjidhur konfliktet në rajone të tjera.

MARKETING