Instagram do të njoftojë prindërit kur adoleshentët kërkojnë përmbajtje që lidhet me vetëvrasjen ose vetëlëndimin
Kompania amerikane Meta ka bërë të ditur se platforma Instagram do të nisë të njoftojë prindërit kur fëmijët e tyre adoleshentë kërkojnë në mënyrë të përsëritur, brenda një periudhe të shkurtër, përmbajtje që lidhet me vetëvrasjen ose vetëlëndimin, transmeton Anadolu.
“Kur një i ri kërkon për vetëvrasje ose vetëlëndim, fuqizimi i një prindi për të ndërhyrë mund të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Sameer Hinduja, bashkëdrejtor i Qendrës për Kërkime mbi Ngacmimin Kibernetik.
Sistemi i sinjalizimeve, që do të nisë javën e ardhshme për prindërit që përdorin mjetet e mbikëqyrjes prindërore të Instagram-it në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Kanada, aktivizohet nga kërkimet që përfshijnë fraza ose terma që promovojnë vetëvrasjen apo vetëlëndimin ose që sugjerojnë se adoleshenti mund të dëshirojë të dëmtojë veten.
Njoftimet do të dërgohen përmes postës elektronike, njoftimeve brenda aplikacionit, si edhe me SMS ose përmes WhatsApp-it dhe do të përfshijnë burime nga ekspertë për t’i ndihmuar prindërit të menaxhojnë biseda të ndjeshme me fëmijët e tyre.
Si prindërit ashtu edhe adoleshentët e përfshirë në funksionin e mbikëqyrjes do të informohen paraprakisht për vendosjen e sistemit të ri të njoftimeve.
Meta bëri të ditur se gjithashtu po zhvillon njoftime të ngjashme prindërore për bisedat e adoleshentëve me mjetet e saj të inteligjencës artificiale, të cilat pritet të prezantohen më vonë këtë vit.
“Ne e dimë se adoleshentët po i drejtohen gjithnjë e më shumë inteligjencës artificiale për mbështetje”, tha kompania, duke shtuar se megjithëse inteligjenca artificiale e saj është trajnuar për të reaguar në mënyrë të sigurt dhe për të ofruar burime të përshtatshme, njoftimet e reja do të shtojnë një shtresë shtesë mbrojtjeje edhe për këto ndërveprime.
Funksioni do të zgjerohet në rajone të tjera përtej katër tregjeve fillestare më vonë gjatë këtij viti.
Njoftimi vjen në një kohë kur Meta përballet me disa beteja ligjore në SHBA, përfshirë procese gjyqësore ku kompania akuzohet për projektimin e qëllimshëm të produkteve që krijojnë varësi te fëmijët, si edhe një çështje të veçantë ku pretendohet se kompania dështoi në mbrojtjen e të miturve nga shfrytëzimi seksual në Facebook dhe Instagram.

