Kompanitë amerikane akuzojnë firmat kineze të inteligjencës artificiale për vjedhjen e miliarda dollarëve

Kompanitë amerikane akuzojnë firmat kineze të inteligjencës artificiale për vjedhjen e miliarda dollarëve

Teksa Shtetet e Bashkuara dhe Kina intensifikojnë garën për dominimin në fushën e inteligjencës artificiale, kompania amerikane Anthropic ka ngritur alarmin se firmat kineze po përvetësojnë në mënyrë të paligjshme teknologji me vlerë miliarda dollarë.

Sipas pretendimeve të kompanisë, firmat kineze DeepSeek, Moonshot AI dhe MiniMax kanë gjeneruar fshehurazi mbi 16 milionë biseda me chatbot-in e saj, Claude, duke përdorur më shumë se 24 mijë llogari të rreme. Qëllimi, sipas Anthropic, ishte mbledhja e përgjigjeve dhe inteligjencës së sistemit për të trajnuar modele konkurruese.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur edhe gjigantët amerikanë të teknologjisë si OpenAI dhe Google kanë paralajmëruar për akuza të ngjashme ndaj firmave kineze, duke shtuar shqetësimet se Kina mund të minojë vite të tëra kërkimesh dhe investimesh të kushtueshme në IA.

Sipas akuzave, kompanitë kineze përdorën adresa proxy për të menaxhuar një “rrjet hidra” me llogari të shumta të rreme, duke shpërndarë aktivitetin e tyre në platforma të ndryshme për të fituar akses në sistemet e Anthropic, të cilat janë të ndaluara në Kinë.

Pasi siguronin hyrjen, ato gjeneronin vëllime të mëdha kërkesash për të mbledhur përgjigje me cilësi të lartë për trajnim modeli ose për të krijuar dhjetëra mijëra detyra për mësim përforcues – një metodë ku një sistem mëson të marrë vendime bazuar në reagime dhe shpërblime.

Akuzat theksojnë përshkallëzimin e tensioneve teknologjike mes dy fuqive globale, në një garë që po krahasohet gjithnjë e më shpesh me një “Luftë të Ftohtë” të re në fushën e inteligjencës artificiale.

MARKETING