(VIDEO) Grubi në burg shtëpiak, ministri i drejtësisë e quan skandal arsyetimin e prokurorisë
Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, e ka cilësuar si skandal vendimin e gjykatës që Artan Grubit, t’i caktohet masa e paraburgimit. Fillkov tha se vlerësimet e MPB-së dhe ASK-së se burgu i Shutkës nuk janë të sigurt, paraqesin skandal që nuk mund të heshtet. Siç tha ai, nuk mundet që për qytetarin e thjeshtë të paraburgimi të vlejë automatikisht, kurse për ish funksionarë të lartë të ketë përjashtim.
Igor Filkov, ministër i Drejtësisë
“Këtë mëngjes kam kërkuar shpjegim nga drejtori i burgut ‘Shkup’ dhe Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, isha i informuar se gjatë ditës së djeshme janë siguruar të gjitha kushtet për zbatimin e masës së paraburgimit në institucionin përkatës. Është e patolerueshme që të pohohet se nuk mund të garantohet siguria e një personi në paraburgim dhe kjo të bëhet argument për masë më të lehtë”.
Ai kërkoi përgjegjësi nga të gjithë personat kompetent, gjyqtarin Stanevski dhe prokurorin Kocev, si dhe shefin e tij Anel Fidoski, prokurorin e ri publik të Shkupit, i emëruar për të zëvendësuar Gavril Bubevskin.
Igor Filkov, ministër i Drejtësisë
“U bëj thirrje publikisht të gjithë aktorëve në procedurë të japin një shpjegim: Prokurori publik Daniel Kocev të shpjegojë mbi bazën e të cilave fakte dhe argumente ligjore specifike është dhënë mendimi për zëvendësimin e paraburgimit? A qëndron Kryetari i Prokurorisë Anel Fidoski pas këtij vendimi dhe a e konsideron këtë si një mesazh për zbatim të barabartë të ligjit? A duhet që gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit, Marin Stanevski, të thotë se cilat rrethana e tejkalonin rrezikun e arratisjes për një person që ishte i paarritshëm për 14 muaj?”
Ministri Filkov i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik të thirrin seancë urgjente dhe të vërtetojnë nëse ka përgjegjësi për këtë rast tek gjykatësi dhe prokurori publik.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

