(VIDEO) VMRO dorëzoi një pako ligjesh për uljen e pagave të funksionarëve

(VIDEO) VMRO dorëzoi një pako ligjesh për uljen e pagave të funksionarëve

Grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së ka dorëzuar sot në Kuvend një pako propozim-ndryshimesh për gjashtë ligje, me të cilat synohet ulja e pagave të funksionarëve. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, tha se pagat e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar do të ulen për 10 deri në 13 mijë denarë, ndërsa për disa pozita edhe më shumë, me qëllim të shpërndarjes më të drejtë të mjeteve të buxhetit dhe përshtatjes me kushtet ekonomike në vend.

Bojan Stojanoski, deputet i VMRO – DPMNE-së

Për deputetët dhe zyrtarët në pushtetin ekzekutiv, po ulim koeficientët, gjë që zvogëlon drejtpërdrejt barrën buxhetore. Për gjyqtarët dhe prokurorët publik, parashikojmë harmonizimin e koeficientëve në mënyrë që pagat e tyre të korrespondojnë me mundësitë reale ekonomike të shtetit. Për kryetarët e komunave, propozojmë një shkallë të re koeficientësh në varësi të numrit të banorëve në komunë”.

Pakoja e ligjeve përfshin Ligjin për deputetët, Ligjin për Pagat dhe kompenzimet e tjera të personave të zjedhur dhe të emëruar, Ligjin për Pagat e Prokurorëve Publikë, Ligjin për Pagat e Anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Ligjin për Pagat e Gjyqtarëve dhe Ligjin për Pagat e Anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

Stojanoski informoi se fondet e kursyera do të ridestinohen për shëndetësinë, arsimin dhe sektorin social, ndërsa ulja do të zbatohet tashmë me pagesën e pagës për muajin shkurt. Ai po ashtu njoftoi se nesër do të mbahet një seancë plenare, në të cilën do të votohet për nevojën e miratimit të ligjeve. Ai sqaroi se, sipas afatit të dhënë nga Rregullorja për gjashtë orë, do të caktohen ligjet menjëherë, dhe më pas do të kthehen në seancën plenare dhe nesër do të votohen.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING