(VIDEO) Gjeorgjievski: Do të realizojmë projektet që ua premtuam qytetarëve

(VIDEO) Gjeorgjievski: Do të realizojmë projektet që ua premtuam qytetarëve

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, paralajmëron një sërë projektesh për qytetin e Shkupit. Ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ka bërë të ditur se Luna Parku që pritet të ndërtohet në Shkup nuk do të jetë vetëm për fëmijë. Gjorgjievski njoftoi se deri në qershor të vitit 2027, pret që të hapet zyrtarisht parku argëtues për të gjitha moshat.

ORCE GJORGJIEVSKI, KRYETAR I QYTETIT TË SHKUPIT

“Do të jetë një park argëtimi për të gjitha moshat. Më në fund, Shkupi do të ketë një Luna Park, dhe ashtu siç u kam premtuar qytetarëve, jam thellësisht i bindur se procedura do të ketë sukses. Tani jemi në fazën përfundimtare të tenderit. Besoj se do të zgjidhet një ndërtues serioz dhe se rreth qershorit 2027 do të mund të prehet shiriti (të bëhet hapja zyrtare). Më në fund, fëmijët tanë do të kenë një vend ku do të krijojnë kujtime dhe ku do të mund të kalojnë fëmijërinë e tyre në mënyrë të lumtur”.

Ndërkaq, Gjorgjievski tha se edhe procesi për projektin e transportit të shpejtë me autobusë (BRT) është zhbllokuar në bashkëpunim me BERZH-in, pas një periudhe disa mujore përgatitjesh.

ORCE GJORGJIEVSKI, KRYETAR I QYTETIT TË SHKUPIT

“Bëhet fjalë për një projekt serioz për qytetin e Shkupit, i cili në përgjithësi pritet t’i zgjidhë bllokimet në trafik që lidhen me funksionimin aktual të autobusëve nëpër linjat e qytetit. Nga ana tjetër, siç dihet, përmes këtij projekti do të sigurohen edhe mbi 30 autobusë të rinj. Kjo do të thotë se, sipas vlerësimit tim, më së voni në fillim të vitit të ardhshëm kalendarik do të mund të nisin aktivitetet ndërtimore dhe puna në terren”.

Kryetari i Shkupit gjithashtu theksoi se përballja me ndotjen dhe trafikun kërkon qasje të kombinuar, duke paralajmëruar investime paralele në infrastrukturë rrugore dhe transport ekologjik. Sipas tij, ndërtimi i rrethrrotullimeve synon të ulë bllokimet dhe emetimet nga automjetet, veçanërisht gjatë dimrit. Në të njëjtën kohë, ai njofton masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit, përfshirë zhvillimin e kapaciteteve me gaz në bashkëpunim me Qeverinë, me qëllim që amvisëritë që përdorin dru të kalojnë në alternativa më të pastra për ngrohje.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING