Ademi: Incidentet në futboll pasojë e mosndëshkimit dhe ndikimit politik

Ademi: Incidentet në futboll pasojë e mosndëshkimit dhe ndikimit politik

Sekretari gjeneral i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar pas dy incidenteve të fundit në futbollin e vendit, duke i cilësuar ato si pasojë të drejtpërdrejtë të mosndëshkimit dhe tolerimit të gjuhës së urrejtjes.

Sipas tij, në ndeshjen mes FK Vardar dhe KF Bashkimi është toleruar gjuhë e hapur e urrejtjes, ndërsa janë përdorur edhe njësi speciale kundër përfaqësuesve të klubit të Bashkimit, pa u ndërprerë loja.

“Kur loja vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur, mesazhi është i qartë: standardet nuk vlejnë njësoj për të gjithë”, theksoi Ademi.

Ai përmendi edhe një rast tjetër, në ndeshjen ndërmjet KF Shkëndija Haraçinë dhe KF Prespa, ku sipas tij është kërkuar largimi i flamurit shqiptar me arsyetimin se “ka urdhër nga lart”, pavarësisht se përdorimi i simboleve rregullohet me ligj.

Ademi akuzoi qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE se po kultivon një klimë ku, sipas tij, shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

“Kjo nuk është më çështje rivaliteti sportiv, por çështje dinjiteti dhe barazie. Nëse institucionet e futbollit nuk distancohen nga diktati politik dhe nuk vendosin standarde të barabarta për të gjithë, besimi në garën e ndershme do të zëvendësohet me bindjen se rezultati përcaktohet jashtë fushës”, thuhet në reagimin e tij. /SHENJA/

MARKETING