Masterplani i Çairit hyn në fazën e zbatimit, inspektim nga Mexhiti dhe arkitekti Vardar
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se gjatë kësaj jave ka kryer vizita në terren së bashku me arkitektin Bajram Vardar, pjesë e ekipit që hartoi Masterplanin për Çairin, në kuadër të fushatës së zgjedhjeve lokale.
Gjatë inspektimeve, ata vlerësuan avancimin e projekteve që tashmë janë në fazën e zbatimit. Ndër ndërhyrjet kryesore janë:
Punimet në rrugët Ferid Murat dhe Mit’hat Frashëri
Ndërtimi i një pishine për sport dhe rekreacion
Zgjerimi i bulevardit Cvetan Dimov
Vendosja e kontejnerëve nëntokësorë për menaxhimin e mbeturinave
“Kjo vizitë shërbeu për të vlerësuar ritmin e realizimit dhe për të koordinuar fazat e ardhshme të punimeve, duke siguruar që çdo projekt të ecë sipas standardeve dhe afateve të planifikuara. Masterplani i Çairit po konkretizohet hap pas hapi, përmes investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe zhvillimin afatgjatë të komunës”, shkroi Mexhiti.

