(VIDEO) NQP me autobusë 30 vjeçarë, për 10 vjet ka humbur 30 milionë udhëtarë
Transporti publik në kryeqytet po përballet me rënie serioze të kapaciteteve dhe humbje drastike të udhëtarëve. Këtë e tregon hulumtimi më i fundit i Qendrës për Komunikim Civile.
Sipas të dhënave, nga gjithsej 341 autobusë, vetëm 185 janë funksionalë çdo ditë, ndërsa në qarkullim dalin mesatarisht 157 autobusë. Krahasuar me vitin 2015, kur ndërmarrja kishte 430 autobusë, sot ka 89 më pak. Edhe numri i autobusëve funksionalë ka rënë ndjeshëm – nga 316 në vitin 2015, në 185 aktualisht. Si pasojë e kësaj situate, numri i pasagjerëve është përgjysmuar.
QENDRA PËR KOMUNIKIME CIVILE
“Në dhjetë vitet e fundit, numri i udhëtarëve është ulur nga mbi 51 milionë në vetëm 22 milionë në vit, që do të thotë rreth 30 milionë udhëtarë më pak çdo vit. Mosha mesatare e autobusëve ka arritur 13,3 vjet dhe vazhdon të rritet”.
Nga Qendra për Komunikime Civile thonë se gjatë dhjetë viteve të fundit janë bërë vetëm dy ndërhyrje në drejtim të rinovimit të parkut të autobusëve. Në vitin 2020 janë blerë 33 autobusë të rinj të markës MAN, ndërsa një vit më pas janë çregjistruar autobusët më të vjetër të markës Sanos.
Megjithatë, sipas hulumtimit, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta përmirësuar gjendjen e përgjithshme. Aktualisht, ende ka 10 autobusë të markës Sanos me rreth 30 vjet përdorim.
QENDRA PËR KOMUNIKIME CIVILE
“Autobusët kinezë dhe ukrainas tashmë kanë arritur moshën 13 vjeçare. Më të rinjtë janë 6 autobusë ekologjikë të markës turke BMC (të vitit 2025), donacion nga Bashkimi Evropian. 210 autobusë (62%) janë të markës kineze Yutong. 64 autobusë (19%) janë të markës ukrainase LAZ. 33 autobusë (10%) janë të markës MAN (21 solo dhe 12 të artikuluar)”.
Ankesa për numrin e paktë të autobusëve, mos respektim të orareve të qarkullimit dhe kaosit kanë për çdo ditë qytetarët në kryeqytet. Ndërkaq, hulumtimi i realizuar nga Qendra për Komunikime Civile bazohet në raportet vjetore të Ndërmarrjes për Qarkullim Publik dhe të dhënave të siguruara përmes qasjes së lirë në informacionet me karakter publik.
Mevludin Imeri /SHENJA/

