Pançevski ngre kallëzim penal kundër anëtarëve të Këshillit të prokurorëve publikë

Pançevski ngre kallëzim penal kundër anëtarëve të Këshillit të prokurorëve publikë

Vlladimir Pançevski, kandidat për prokuror publik të shtetit i cili dje nuk mori mendim pozitiv nga Këshilli i prokurorëve publikë, ngriti padi penale kundër kryetarit, zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të Këshillit, duke pretenduar se ata kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare gjatë shqyrtimit të kandidaturës së tij.

Në një postim në Fejsbuk, Pançevski reagoi ndaj vendimit të Këshillit i cili dje nuk dha mendim pozitiv për kandidaturën e tij, duke e përjashtuar kështu nga procesi i mëtejshëm zgjedhor për pozicionin e prokurorit publik të shtetit. Sipas shpjegimit të Këshillit, Pançevski nuk plotësonte kërkesën për të paktën dhjetë vjet stazh pune në fushën e së drejtës penale.

Pançevski pretendon se anëtarët e Këshillit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar autoritetin e tyre ligjor në kundërshtim me nenin 62, paragrafi 1, alineja 1 e Ligjit për Prokurorinë publike. Ai i bëri thirrje Qeverisë që ta anulojë procedurën, duke theksuar se Këshilli nuk ka autorizim për të kryer interpretim autentik të ligjeve, por vetëm për t’i zbatuar ato.

Këshilli i Prokurorëve publikë vendosi dje se Pançevski nuk i plotëson kërkesat për të paktën 10 vjet përvojë pune si prokuror publik ose gjyqtar në fushën e së drejtës penale.

Ndërkohë, Pançevski ka publikuar një dokument nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, sipas të cilit ai ka qenë gjyqtar nga 8 shkurti 2008 deri më 28 korrik 2020. Sipas certifikatës, ai ka 12 vjet, 5 muaj dhe 20 ditë stazh – gjë që sipas tij kjo hedh poshtë konstatimet e Këshillit.

Sipas interpretimit të Këshillit, kandidati duhet të ketë stazh aktiv deri para ditës së aplikimit, ndërsa Pançevski pretendon se ligji kërkon vetëm stazh të plotë.

Në postimin në Fejsbuk, thuhet se ai ka ngritur kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare kundër Bashkim Besimit – kryetar i KPPRMV , Marjana Ilieska – zëvendëskryetare dhe anëtarët Jelena Dogazanska Koleva, Zorica Pavloviq, Ermon Neziri, Keti Petkova, Svetlana Stojkoviq, Dushica Dimitrieska, Ardian Demiri dhe Fatih Aliu.

Në padinë thuhet se ata në seancën e mbajtur më 17 shkurt 2026, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurorinë publike dhe e kanë privuar nga e drejta ligjore për të marrë pjesë në procesin e mëtejshëm zgjedhor.

Në postimin në Fejsbuk, Pançevski vlerëson se kallëzimi penal është “pasqyrim i sistemit të kalbur gjyqësor-prokurorial” dhe i bëri thirrje Qeverisë, Prokurorisë publike dhe MPB-së të reagojnë dhe të sqarojnë procedurën.

MARKETING