(VIDEO) Debat në Shenja, Bilalli: Zhvillimi ekonomik është patriotizmi më i madh
Në emisionin “Debat në Shenja” me profesorin universitar Mersel Bilalli u diskutuan një sërë temash, duke filluar nga gjendja e shqiptarëve me pushtetin aktual të udhëhequr dhe të përfaqësuar nga koalicioni VLEN, si shihet kalimi i Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë nga një prespektivë tjetër analitike ku dhe më e rëndesishmja, cili është statusi ekonomik i shqipëtarëve sot në Maqedoninë e Veriut krahasuar me disa dekada më parë. Sipas tij, kur bëhet fjalë për renditjen e prioriteteve që duhet të realizohen si bashkësi etnike dhe si komb, zhvillimi ekonomik duhet të qëndrojë në majë të piramidës.
Mersel Bilalli, profesor universitar
“Zhvillimi ekonomik është patriotizmi mbi çdo patriotizëm tjetër. Pra, kur do t’i radhisja prioritetet që duhet t’i realizojmë si bashkësi etnike, si komb, në maje të piramidës e shoh zhvillimin ekonomik. Njerëzit mund të flasin e të debatojnë për shumë çështje, por ata tri herë në ditë duhet të ushqehen, duhet të jetojnë mirë, të kenë pushime, argëtim dhe një jetë normale”.
Tutje ai tha se shqiptarët në institucione vazhdojnë të përballen me një ndjenjë të trajtimit jo të barabartë, duke theksuar se shpesh perceptohen si qytetarë të dorës së dytë. Sipas tij, ndonëse ka raste individuale suksesi në nivel lokal, në përgjithësi mungon organizimi dhe qasja e duhur institucionale. Ai madje bëri edhe një krahasim mes qasjeve politike, duke theksuar se logjika e LSDM-së ka qenë ndryshe, ndërsa ajo e VMRO-DPMNE, sipas tij, paraqitet më e vështirë për t’u kuptuar.
Mersel Bilalli, profesori universitar
“Është krijuar një defanzivë dhe një ndjenjë te popullata se ne jemi qytetarë të dorës së dytë. Këtë mund ta ndjeni në çdo institucion kur shkoni, nga trajtimi dhe respekti. Nuk e keni atë respekt që e keni pasur më herët. Logjika e LSDM-së ka qenë pak më ndryshe, ndërsa kjo e VMRO-së pak e çuditshme. E kam vështirë edhe unë të adaptohem në logjikën e tyre”.
Ndërkaq, lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ai theksoi nevojën për një qasje më të arsyeshme dhe në përputhje me logjikën kushtetuese. Sipas tij, është e vështirë të kuptohet pse studentët mund të kryejnë studimet universitare, ato pasuniversitare dhe madje edhe doktoraturën në gjuhën shqipe, ndërsa nuk u lejohet të japin provimin e jurisprudencës në të njëjtën gjuhë.
Anida Murati /SHENJA/

