(VIDEO) BDI dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit të Drejtësisë
Bashkimi Demokratik për Integrim, ka paraqitur kallëzim penal ndaj Ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov për shkelje serioze të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Bekim Berisha nga BDI sqaroi se padia së pari, është për pengim të zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës dhe neneve 1, 2, 3 dhe 9 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe së dyti, për mos-zbatim të detyrave zyrtare në dëm të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve shqiptarë, në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës dhe nenin 353 të Kodit Penal
BEKIM BERISHA, BDI
“Refuzimi për të organizuar dhe mbajtur Provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe cënon drejtpërdrejt të drejtën e përdorimit të gjuhës zyrtare në procedurat para institucioneve…… Mos-zbatimi i ligjit dhe mohimi i kësaj të drejte dërgon mesazhe diskriminuese dhe rrezikon thellimin e tensioneve në një shoqëri multietnike’’.
Ai tha se sipas ligjit për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore, janë të detyruara të sigurojnë që proceset, dokumentet dhe komunikimi zyrtar të zhvillohen edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve. sipas BDI-së duke mos ofruar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe duke refuzuar zbatimin e kësaj të drejte ligjore, Ministria e Drejtësisë ka shkelur detyrat e saj zyrtare, dhe se ka cenuar parimin kushtetues të barazisë. BDI kërkon nga Prokuroria Themelore Publike të ndërmarrë menjëherë veprimet hetimore. /SHENJA/

