Kurti në seancën solemne: Kur vjen fjala te republika dhe sovraniteti ne nuk mund të lëshojmë pe

Kurti në seancën solemne: Kur vjen fjala te republika dhe sovraniteti ne nuk mund të lëshojmë pe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës solemne për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, theksoi se sot është një ditë kujtimi për të gjithë ata që sakrifikuan shumë për lirinë që populli i Kosovës gëzon sot.

Ai shtoi se nuk ka vend për kompromis kur bëhet fjalë për Republikën dhe sovranitetin e Kosovës.

“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra dhe gra e fëmijë, që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës, së paku që nga viti 1968 e më tej, ndoshta s’e kishin të njëjtin vizion se si do të ishte Republike, por kishin të njëjtën dëshirë për liri. Republika në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj kur vjen fjala te Republika dhe sovraniteti ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe zhvillim”, tha Kurti.
Ndër të tjera, Kurti tha se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po akuzohen padrejtësisht, pasi siç tha ai, ata guxuan të marrin armët për liri.
“Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare, të cilës ia detyrojmë lirinë e sotme”, tha ai.

MARKETING