LSM sot bllokon hyrjen për në qeveri! Kërkohet që paga minimale të bëhet 600€, ndërsa pagat e tjera të rriten për 100€

LSM sot bllokon hyrjen për në qeveri! Kërkohet që paga minimale të bëhet 600€, ndërsa pagat e tjera të rriten për 100€

Lidhja e Sindikatave sot, me bllokimin e hyrjeve drejt Qeverisë, do të kërkojë rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera për 100 euro. Qeveria është institucioni i tretë që do të bllokohet nga sindikata, pasi javën e kaluar u bllokuan Kuvendi dhe Oda Ekonomike.

Bllokada, siç sqarojnë nga LSM, bëhet për shkak se Qeveria dhe punëdhënësit nuk janë marrë vesh për rritjen e pagave të punëtorëve dhe sepse vitin e kaluar Qeveria nuk e ka pranuar propozimin për subvencionimin e një pjese të kontributeve.

Me nga 21 persona, aq sa e lejon Ligji për tubime publike, do të bllokohen hyrjet e Qeverisë, e cila sot duhet të mbajë mbledhje të rregullt.

Nga LSM presin mirëkuptim dhe theksojnë se Qeveria ka mundësi që në mbledhje të marrë vendim për rritjen e pagave të punëtorëve.

“Bllokada e fundit para Qeverisë është pikërisht për shkak se pagat e punëtorëve janë mbajtur të bllokuara për një periudhë të gjatë, gjatë së cilës vlera e shportës minimale sindikale është rritur për 9.250 denarë, pra një familje katëranëtarëshe është më e varfër për 9.250 denarë. Ra edhe argumenti i fundit i përfaqësuesve të Qeverisë të cilët së bashku me punëdhënësit e përsërisnin vazhdimisht se punëtorët maqedonas nuk janë produktivë. Punëtorët maqedonas janë tepër produktivë për pagat që marrin, ose vetëm 17 për qind e asaj që krijojnë si kapital për punëdhënësit derdhet në pagat e tyre. Si shembull, paga minimale mujore për një punëtor është 24.379 denarë, ndërsa produktiviteti që krijon ai për punëdhënësin është 290.000 denarë”, deklaroi dje kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.

Me këtë, LSM pas protestës së mbajtur më 28 janar po i realizon bllokadat e paralajmëruara të institucioneve. Nëse nuk hasin në mirëkuptim, paralajmërojnë organizimin e edhe një proteste dhe grevë të përgjithshme, e cila sipas informacioneve do të zgjasë 24 orë.

Kërkesa për rritjen e pagave, LSM e bazon në rritjen e kostos së jetesës dhe në rritjen e vlerës së shportës sindikale të konsumit. Nëse sindikata nuk arrin t’i realizojë kërkesat për rritjen e pagave, punëtorët që marrin pagë minimale në muajin prill, sipas përllogaritjeve, do të marrin rritje prej 1.500 deri në 1.700 denarë.

MARKETING