(VIDEO) Tripunovski: Nuk ka shkurtim të subvencioneve për fermerët
Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Cvetan Tripunovski, ka paralajmëruar kontrolle të shtuara në terren dhe ashpërsim të kritereve për përfitimin e subvencioneve bujqësore, me qëllim filtrimin e përfituesve joaktivë. Sipas Tripunovskit, nëse konstatohet se dikush ka përfituar padrejtësisht mbështetje financiare do të përballet me masa ndëshkuese, përfshirë ndalimin e aplikimit për fonde në tre vitet e ardhshme. Tripunovski theksoi se kriteret bazë për shfrytëzimin e subvencioneve tashmë janë ndryshuar dhe do të jenë më të rrepta, në mënyrë që mbështetja financiare të përfundojë vetëm tek bujqit aktivë dhe prodhuesit e vërtetë.
CVETAN TRIPUNOVSKI – MINISTËR I BUJQËSISË
Si reformë e vogël, që mund të themi është rritja minimale e sipërfaqes së tokës që është kusht për shfrytëzimin e subvencioneve, me qëllim që të rrisim prodhimin vendor të ushqimit. Theks i veçantë do t’i vendoset kontrolleve në terren që do t’i kryejnë institucionet, me qëllim që mjetet të përfundojnë tek bujqit e vërtetë dhe të jetë e vogël përqindja e atyre që janë aplikant. Dëshirojnë të shfyrtëzojë subvencione kurse nuk kryejnë punë bujqësore, sepse kjo është padrejtësi ndaj prodhuesve të vërtetë.
Ministri mohoi akuzat e opozitës për shkurtim të mjeteve financiare për mbështetje të bujqve. Ai tha se qëllimi i Ministrisë së Bujqësisë është rritja e nivelit të prodhimtarisë.
CVETAN TRIPUNOVSKI – MINISTËR I BUJQËSISË
I hedh poshtë të gjitha akuzat nga opozita ose nga të gjithë ata që mundohen të komentojnë programën e vitit 2026-të dhe them që nuk ka shkurtime të subvencioneve por ka kushtëzime shtesë, që është rritja e nivelit të prodhimtarisë, sepse duam ta rrisim nivelin. Të gjithë këto reforma që po i bëjmë janë për t’i dhënë drejtim asaj se nga do të hapërojë Maqedonia periudhën në ardhje.
Tripunovski mes tjerash tha se programi për mbështetje financiare për vitin 2026-të është miratuar në Qeveri. Sipas tij, Agjencia e Pagesave vazhdon të funksionojë rregullisht. Ai sqaroi se po punohet në përgatitjen e dokumentacionit për akreditimin e masave të reja dhe njoftoi gjithashtu se muajin e ardhshëm do të udhëtojë për një takim në Bruksel.
Mevludin Imeri /SHENJA/

