(VIDEO) NATO për paktin e mbrojtjes së Kosovës: Shqipëria dhe Kroacia faktor stabiliteti
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, tha se Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal, kur u pyet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes të dy shteteve të aleancës me Kosovën.
“Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe të çmuara brenda aleancës. Ato janë edhe kontribuuese për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato kanë prani në KFOR, por në përgjithësi janë të përqendruara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”, tha Shekerinska për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia marsin e vitit të kaluar nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Zyrtarët e mbrojtjes të këtyre tri shteteve janë takuar dy herë gjatë këtij muaji për zbatimin e kësaj deklarate dhe kanë paralajmëruar se gjatë këtij viti do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët. Ky bashkëpunim ka zemëruar Serbinë, presidentit i të cilës, Aleksandar Vuçiq, e ka parë si “aleancë sulmuese” kundër “serbëve dhe Serbisë”.
Shekerinska shtoi se NATO-ja nuk merr pjesë në diskutime apo konsultime për deklaratën e shkruar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, por anëtarësimi në aleancë nuk i parandalon shtetet që të kenë marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta. “Prania jonë në Ballkanin Perëndimor synon mbështetjen e këtij lloji të dialogut politik”, tha Shekerinska.
Një ditë më parë, Vuçiq tha se është i shqetësuar për bashkëpunimin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke shtuar se për këtë shkak Serbia do të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes. /SHENJA/

