Mickoski në takim me Koshtan: Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj rrugës evropiane
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, gjatë një vizite në Mynih, zhvilloi një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ku në fokus ishte perspektiva evropiane e vendit dhe rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të reformave, por njëkohësisht kërkon një proces të drejtë, dinjitoz dhe të bazuar në parime evropiane, pa kushtëzime dypalëshe.
“Biseduam hapur dhe sinqerisht për perspektivën evropiane të Maqedonisë, për reformat që po i zbatojmë dhe për sfidat që qëndrojnë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. E përcolla qartë qëndrimin tonë: Maqedonia mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane. Por, njëkohësisht, Maqedonia meriton një proces dinjitoz dhe parimor, të bazuar në vlerat evropiane, e jo në kushte bilaterale”, deklaroi Mickoski në një postim në Facebook pas takimit.
Ai theksoi se qeveria që drejton është e angazhuar në reforma thelbësore, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
Sipas Mickoskit, integrimi evropian nuk është vetëm objektiv politik, por një vizion për ndërtimin e një shteti më të mirë.
“E ardhmja evropiane nuk është vetëm një qëllim politik, ajo është një zgjedhje për një shtet më të mirë. Vazhdojmë të punojmë – me përgjegjësi, ndershmëri dhe me një vizion të qartë për Maqedoninë në Evropë”, përfundoi ai.

