Indeksi i kostos së jetesës në RMV në janar të këtij viti shënoi rritje vjetore prej 3.2 përqind
Indeksi i kostos së jetesës në janar të këtij viti shënoi rritje vjetore prej 3.2 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tregon raporti i fundit i Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS).
Në të njëjtën kohë, raporti thotë se indeksi i çmimeve me pakicë është rritur me 1.2 përqind.
Inflacioni, i matur me indeksin e kostos së jetesës, ka rënë me 0.7 përqind në janar krahasuar me muajin paraprak.
Sipas të dhënave nga ESHS-së, ulja e kostos së jetesës është rezultat i çmimeve më të ulëta në disa sektorë. Rënia më e madhe në janar krahasuar me muajin paraprak është regjistruar në grupin e transportit, ku ka pasur rënie prej 9.3 përqind.
Përveç transportit, sektori i informacionit dhe komunikimit gjithashtu kontribuoi në uljen e inflacionit, i cili ishte më i ulët me 1.6 përqind.
Kishte gjithashtu një rënie të kostove në grupin e rekreacionit, sportit dhe kulturës, të cilat ishin më të ulëta me 1.5 përqind në janar.
Veshjet dhe këpucët shënuan rënie prej 1.2 përqind.
Rritje u regjistrua te banesat dhe pajisjet shtëpiake, të cilat në janar ishin një përqind më të larta se muaji paraprak.
Në grupet e restoranteve dhe hoteleve, rritja ishte 0.7 përqind, dhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 0.1 përqind.
Në janar, krahasuar me muajin paraprak, kostoja e jetesës në grupin e ushqimit dhe pijeve joalkoolike mbeti në të njëjtin nivel si në muajin paraprak, pa ndryshime.
Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi gjithashtu se indeksi i çmimeve me pakicë në janar shënoi rënie prej 2.7 përqind krahasuar me muajin paraprak, dhe në bazë vjetore indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 1.2 përqind.

