(VIDEO) Trendafilov: Të martën do ta bllokojmë edhe Qeverinë, hapi i radhës greva e përgjithshme

(VIDEO) Trendafilov: Të martën do ta bllokojmë edhe Qeverinë, hapi i radhës greva e përgjithshme

Bllokadat dhe protestat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë po marrin gjithnjë e më shumë dinamikë.  Ashtu siç ishte paralajmëruar, LSM sot bllokoi Odën  Ekonomike në Maqedoninë e Veriut,  duke kërkuar të ulen në tavolinë me punëdhënësit dhe të merren vesh për një pagë minimale prej 600 eurosh.  Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, deklaroi se në protestë morën pjesë 21 persona para Odës Ekonomike dhe 21 të tjerë në kryqëzimin e afërt, duke vlerësuar se numri i vogël është pasojë e presioneve dhe kërcënimeve ndaj punëtorëve. Në të njejtën mënyrë, Trendafilov njoftoi se të martën do ta bllokojnë edhe qeverinë, ndërsa shtoi se hapi i radhës mund të jetë greva e përgjithshme.

SINKRON:SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË

“Nëse nuk ndryshon diçka, herën tjetër do të vijmë me grevë të përgjithshme që do të kushtojë shumë më tepër se pagat tona të punëtorëve. Mbyllja eventuale e kompanive dhe institucioneve do të kishte kosto më të madhe ekonomike sesa rritja e kërkuar aktualisht”.

Para protestuesve fjalim mbajti  edhe kryetari  i Sindikatës së Ndërtimtarisë, pjesë e LSM-së, Ivan Peshevski, i cili tha se punëtorët janë miqtë e tyre, ndërsa Qeveria, e cila i gjobit dhe u dërgon inspektime, është armiku i tyre.

SINKRON:IVAN PESHEVSKI, KRYETAR I SINDIKATËS SË NDËRTIMTARISË

“Të punësuarit tanë në sektorin privat janë në vendet e tyre të punës. Herën tjetër do të jenë në rrugë, nëse mes këtyre dy bllokadave pronarët nuk marrin guximin dhe nuk ulemi në tavolinë“.

Ndërkaq, bllokadën e ditës së sotme e ka komentuar edhe kryeminstri, Hristijan Mickoski, i cili përsëri thotë se kjo protestë ka prapavijë politike.

SINKRON:HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Protestat e LSM-së kanë prapavijë politike, të motivuara dhe të frymëzuara nga opozita. Publiku këto ditë do ta shohë atë që ne e posedojmë, sepse meriton të dijë kush janë personat që i bllokojnë rrugët dhe çfarë lidhjesh kanë me liderët e partive politike”.

Ndërkohë, edhe pse nuk kanë saktësuar ditën dhe datën e protestës, sindikatave njoftoi një protestë të re të madhe në një ditë jo pune, me transport të organizuar, me qëllim që siç theksuan, t’u jepet mundësi të gjithë punëtorëve të dalin në rrugë.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING