LSDM: Si kaluan 5 ton drogë nga Maqedonia në Serbi pa u zbuluar?
Partia opozitare LSDM thotë se ende nuk ka përgjigje se si 5 ton drogë, me vlerë rreth 40 milionë euro, kaluan kufirin e Maqedonisë së Veriut dhe përfunduan në Serbi.
Sipas LSDM-së, heshtja e institucioneve ngre dyshime se dikush po përpiqet ta fshehë rastin.
Nga kjo parti thonë se një sasi kaq e madhe droge nuk mund të kalonte pa ndihmën ose neglizhencën e strukturave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Doganat dhe institucione të tjera.
LSDM i referohet edhe raportimeve të mediave në Serbi, sipas të cilave një zyrtar i arrestuar i SNS-së, i lidhur me drogën e zbuluar në Krushevac, është i afërt me ministrin serb të Mbrojtjes, Bratislav Gašić.
Nga LSDM shtrojnë pyetjen nëse rasti lidhet edhe me zyrtarë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë drejtorin e KPP-së dhe sekretarin organizativ të VMRO-së, Ivica Tomovskin, si dhe kompanitë e të afërmve të tij.

