(VIDEO) Hulumtim, buxheti i reduktuar pas zgjedhjeve lokale
Fondet nga kredia hungareze, të miratuara nga Qeveria për komunat, kanë përbërë një “injektim” të konsiderueshëm financiar në muajt parazgjedhor, thuhet në raportin e Qendrës për Komunikime Qytetare, i cili monitoron ndarjen e mjeteve qeveritare për projekte infrastrukturore komunale në vitet 2024 dhe 2025. Sipas gjetjeve të hulumtimit, shpenzimet kapitale të komunave në buxhetet për vitin 2025 janë rritur ndjeshëm krahasuar me realizimin në vitin 2024, me një mesatare deri në 92 për qind. Projektet janë kualifikuar si “zhvillimore”, kryesisht për shkak se financimi i tyre është planifikuar të realizohet në një periudhë trevjeçare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre, në thelb, përfshijnë riparime, rindërtime ose ndërtim rrugësh dhe ndërhyrje të tjera të zakonshme infrastrukturore lokale.
Raporti thekson se, ndonëse Qeveria miratoi projekte me vlerë rreth 71 milionë euro për vitin 2024, në Buxhetin e atij viti u rezervuan vetëm 15.5 milionë euro, ndërsa realisht u shpenzuan vetëm 345 mijë euro. Si pasojë, fondet e pashpenzuara u bartën dhe u kombinuan me mjetet për vitin pasardhës. Për këtë arsye, në Buxhetin e vitit 2025 fillimisht u planifikuan 102 milionë euro për projekte infrastrukturore komunale.
INFOGRAFIK
Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, në fillim të dhjetorit 2025, Qeveria ndërmori një ulje drastike të këtyre fondeve. Me vendimin për rishpërndarjen e mjeteve buxhetore, të miratuar nga Kuvendi më 5 dhjetor 2025, fondet e planifikuara për komunat në Buxhetin 2025 u zvogëluan për 58.4 milionë euro, duke rënë nga 102 milionë në vetëm 43.6 milionë euro.
Raporti evidenton gjithashtu probleme në zbatimin e projekteve, veçanërisht në fushën e prokurimeve publike. Në një pjesë të konsiderueshme të komunave të analizuara vërehet dominimi i një ose disa kompanive që kanë fituar shumicën e kontratave për ndërtimin e projekteve infrastrukturore.
Një tjetër gjetje kyçe është shpërndarja joproporcionale e fondeve mes komunave, si në raport me numrin e banorëve, ashtu edhe në vlerë absolute. Katër komuna kanë përfituar mbi pesë milionë euro secila: Manastiri (5.6 milionë euro), Tetova (5.5 milionë euro), Kumanova (5.3 milionë euro) dhe Aerodromi (5.3 milionë euro), ndërsa Prilepi është afër këtyre shifrave me 4.4 milionë euro.
INFOGRAFIK https://infogram.com/shperndarja-sipas-komunave-1hnp27eqwxnvn4g
https://infogram.com/me-se-shumti-para-per-koke-banori-1hnq41op7xq7p23
https://infogram.com/me-se-paku-para-per-koke-banori-1h9j6q753mm854g
Kur mjetet analizohen për kokë banori, komunat me përfitimet më të larta janë Demir Kapi (99 euro), Zhelina (82 euro), Sveti Nikole (79 euro), Gradsko (78 euro) dhe Kratova (76 euro). Në anën tjetër, përfitimet më të ulëta për kokë banori i kanë Qyteti i Shkupit (0 euro), Strumica (16 euro), Saraji (23 euro), Qendra (41 euro) dhe Kërçova (49 euro).
Nga Qendra për Komunikime Qytetare thanë se, përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare që i vëzhguan zgjedhjet lokale, në raportet e tyre pas zgjedhjeve kanë shprehur gjithashtu shqetësime në lidhje me shfrytëzimin e resurseve publike për qëllime zgjedhore. Në raportimet e tyre, “raste të caktuara të keqpërdorimit të fondeve publike… ishin shqetësuese”.
Teuta Buçi /SHENJA/

