Shvercerat pezullojnë përkrahjen për FC Shkupin deri në qartësimin e pronësisë

Shvercerat pezullojnë përkrahjen për FC Shkupin deri në qartësimin e pronësisë

Grupi i tifozëve të FC Shkupit, Shvercerat, ka njoftuar se nuk do të ofrojë përkrahje të organizuar në ndeshjet e klubit, deri në zgjidhjen e disa çështjeve që lidhen me funksionimin dhe pronësinë e klubit.

Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të përbashkët të mbajtur të hënën, ku tifogrupi shprehu shqetësime lidhur me situatën aktuale në klub. Sipas komunikatës, Shvercerat theksojnë se nuk kanë asgjë personale ndaj Bekim Baftijarit, i cili aktualisht ka marrë përsipër organizimin e klubit, por derisa dokumentacioni zyrtar ende mban emrin e ish-pronarit Jasin Konjali dhe disa persona nga stinori vjeshtor janë rikthyer në klub, ata nuk ndihen të qetë për të vazhduar përkrahjen.

Grupi i tifozëve shton se janë të gatshëm për dialog dhe rikthim të përkrahjes sapo të përfundojë transferimi i pronësisë dhe të qartësohet situata. Ata theksojnë gjithashtu se nuk do të pengojnë në asnjë mënyrë funksionimin e klubit dhe bëjnë thirrje për qetësi, duke shmangur veprime që mund të dëmtojnë FC Shkupin.

Kujtojmë që sot FC Shkupi zhvillon ndeshjen e parë të gjysmësezonit pranveror ndaj Tikveshit, e cila për shkak të pezullimit të terrenit vendas do të luhet në Kavadar.

MARKETING