(VIDEO) BDI akuzon Mexhitin se ka harruar premtimin për hyrje-daljen e re në Gazi Babë
Bashkimi Demokratik për Integrim e ka akuzuar kryetarin e komunës së Çairit, Izet Mexhiti se ka premtuar publikisht projektin për ndërtimin e hyrje-daljes së re në Gazi Babë, duke deklaruar se investimet kapitale janë tashmë të siguruara ndërsa realizimi i këtij projekti ishte vetëm çështje kohe. Sipas BDI-së, ky projekt u prezantua si një zgjidhje strategjike për lehtësimin e trafikut dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Beki Ramani nga BDI theksoi dhe premtimet e Mexhitit se hyrje-dalja e re do të krijonte qasje më të lehtë drejt Autokomandës, do të përmirësonte lidhjen me rrugën “Cvetan Dimov” dhe rrugën “Xhon Kenedi” dhe se në rast të trafikut të rënduar, rruga “Jahja Pasha” do të shërbente si alternativë funksionale për qytetarët.
BEKI RAMANI, BDI
“Ne pyesim publikisht: Ku janë investimet që u premtoan si të sigura?. Ku është projekti konkret dhe në cilën fazë ndodhet?. A u përdor ky projekt vetëm si mjet për të fituar vota?. Qytetarët e Çairit meritojnë zgjidhje reale, jo marketing politik dhe premtime elektorale pa mbulesë. Infrastruktura rrugore nuk është sllogan, por nevojë jetike për banorët që çdo ditë përballen me trafik të rënduar dhe mungesë planifikimi urban”.
Dhe se sipas tij, sot qytetarët përballen me një realitet krejt tjetër, ku nuk ka transparencë për fondet e premtuara, nuk ka plan konkret për realizim, dhe nuk ka asnjë shenjë serioze se investimet kapitale që u promovuan ekzistojnë realisht.
Ramani gjithashtu ka bërë të ditur se BDI kërkon transparencë të plotë për projektin dhe financimin e tij, afate konkrete për realizim, dhe përgjegjësi politike për çdo premtim të pambajtur.
/SHENJA/

