(VIDEO) BDI: Klubi i të punësuarit në komunën e Çairit merr 60% të buxhetit të sportit
Bashkimi Demokratik për Integrim ka denoncuar, siç thonë, një skandal serioz në ndarjen e fondeve publike për sportin në Komunën e Çairit. Sipas integristëve nga 3.5 milionë denarë sa është buxheti vjetor për subvencionimin e klubeve sportive, një klub i vetëm ka përfituar rreth 1.9 milionë denarë, ndërsa për 15 klube të tjera janë ndarë shuma simbolike nga rreth 30 mijë denarësh për klub.
Kanita Ramadani nga BDI thekson se klubi që ka marrë pjesën më të madhe të fondeve është në pronësi të një të punësuari të Komunës së Çairit, i cili sipas tyre është person i afërt me udhëheqësinë komunale dhe financues i partisë në pushtet, duke ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe kapje të fondeve publike.
KANITA RAMADANI – BDI
“Faktet janë këto: Në vitet e fundit, klubi në pronësi të një të punësuari të Komunës së Çairit ka përfituar rreth 1.9 milionë denarë, ndërsa 15 klube të tjera sportive janë detyruar të ndajnë mes vete shuma simbolike prej rreth 30.000 denarësh për klub. Pra: Një klub merr pothuajse 2 milionë denarë, ndërsa 15 klube marrin sa për mbijetesë. Kjo nuk është mbështetje për sportin. Ky është monopolizim i parasë publike’’.
Nga BDI kërkojnë hetim nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit dhe Enti Shtetëror i Revizionit, dhe transparencë të plotë për çdo denar të ndarë, si dhe pezullim të vendimeve të kontestuara, duke theksuar se sporti nuk duhet të shndërrohet në mjet të klientelizmit politik, por të shërbejë për interesin e fëmijëve dhe qytetarëve të Çairit.
Mevludin Imeri /SHENJA/

