ASHMAA: Vendimi kundër gazetares Vejseli sfidon lirinë e medias
Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale shpreh shqetësim të thellë për vendimin e shkallës së parë të gjykatës, më 12 janar të këtij viti, kundër gazetares Liridona Vejseli, për “keqpërdorim të të dhënave personale”, në lidhje me publikimin e emrit dhe mbiemrit të një gjyqtari në rrjetet sociale Instagram dhe TikTok.
Ky vendim dërgon një mesazh shqetësues lidhur me lirinë e shprehjes dhe liritë mediatike. Ndjekja penale e gazetarëve për publikimin e të dhënave për funksionarë publikë në kontekstin e detyrës së tyre profesionale krijon presion mbi mediat dhe kufizon të drejtën e publikut për informim.
Të gjithë aktorët e përgjegjshëm duhet të kontribuojnë në mënyrë aktive për krijimin e kushteve që mundësojnë ushtrimin e pandërprerë të lirisë së shprehjes dhe informimit, si dhe për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirive mediatike.

