Kryetari i Qytetit të Shkupit Gjorgjievski me ditë të hapur për qytetarët në Qytetin e Shkupit
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, edhe sot e vazhdoi praktikën e komunikimit të drejtpërdrejt me qytetarët, duke i hapur dyert e administratës së qytetit për të gjithë të cilët dëshirojnë personalisht t’i ndajnë problemet, idetë dhe propozimet e tyre.
Gjatë takimeve, një pjesë e qytetarëve u pritën në zyra, ndërsa me disa prej tyre u zhvilluan edhe biseda telefonike, me qëllim që çdo kërkesë dhe shqetësim të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet. Nga Kabineti i Kryetarit u theksua se çdo zë është i rëndësishëm dhe se çdo mesazh meriton vëmendje të plotë.
Kryetari Gjorgjievski vlerësoi se mbështetja dhe fjalët pozitive nga qytetarët janë një motivim i madh për të vazhduar këtë praktikë, duke theksuar se shumë prej tyre kanë shprehur se më parë nuk kanë pasur mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me drejtuesit e qytetit.
Ai ritheksoi se Qyteti i Shkupit mbetet i hapur për të gjithë, pa barriera dhe pa dyer të mbyllura, duke siguruar se çdo problem është evidentuar dhe çdo propozim është regjistruar. Sipas tij, institucionet e qytetit do t’u qasen problemeve drejtpërdrejt dhe në bashkëpunim me qytetarët do të punojnë për zgjidhje konkrete, hap pas hapi.
Takimet me qytetarët do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës dhe, nëse paraqitet nevoja, edhe ditën e nesërme, duke përcjellë mesazhin se Shkupi është qyteti i të gjithëve dhe se përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk përfundon me orarin zyrtar të punës.

