ASH: Maqedonia e Veriut u la jashtë “Board of Peace”, dështim i politikës së jashtme

ASH: Maqedonia e Veriut u la jashtë “Board of Peace”, dështim i politikës së jashtme
DCIM100MEDIADJI_0484.JPG

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me faktin se Maqedonia e Veriut nuk është përfshirë në nismën ndërkombëtare “Bordi i Paqes” (Board of Peace), të inicuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ku tashmë janë përcaktuar vendet pjesëmarrëse nga rajoni i Ballkanit.

Nga ASH theksojnë se ky përjashtim nuk mund të konsiderohet rastësor dhe se ai reflekton mungesën e peshës politike dhe të ndikimit diplomatik të Qeverisë aktuale në arenën ndërkombëtare.

Në reagimin e tyre thuhet se fakti që Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Turqia janë ftuar të jenë pjesë e kësaj platforme, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet në listën e vendeve që as nuk janë ftuar, përbën një sinjal serioz alarmi për pozitën ndërkombëtare dhe kredibilitetin diplomatik të shtetit.

“Ky përjashtim reflekton qartë dështimin e Qeverisë për ta pozicionuar Maqedoninë e Veriut si faktor stabiliteti dhe partner të besueshëm në nismat rajonale dhe globale të sigurisë”, thuhet më tej në komunikatë.

Aleanca për Shqiptarët kërkon sqarime urgjente nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me arsyet e mosftesës së vendit në këtë nismë. Sipas ASH-së, institucionet duhet të përgjigjen nëse ka pasur komunikim zyrtar dhe përpjekje diplomatike për përfshirje, si dhe cilat mund të jenë pasojat politike dhe strategjike të këtij përjashtimi.

Në një kohë kur “Board of Peace” synon ndërtimin e një platforme bashkëpunimi politik dhe sigurie, përjashtimi i Maqedonisë së Veriut – së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – po interpretohet si një mesazh i qartë gjeopolitik për rolin periferik në të cilin po shtyhet vendi.

ASH vlerëson se Maqedonia e Veriut ka kapacitete, përvojë dhe përgjegjësi për të qenë pjesë e çdo mekanizmi serioz për paqe dhe siguri në rajon, por thekson se kjo kërkon diplomaci aktive, politikë të jashtme të qartë dhe qeverisje kredibile.

“Jo improvizime, heshtje dhe izolim, por transparencë, përgjegjësi institucionale dhe orientim të qartë euro-atlantik, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të mos mbetet jashtë proceseve të rëndësishme ndërkombëtare”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

MARKETING