Ukraina njofton një të vrarë dhe 20 të plagosur në Kiev dhe Kharkiv mes bisedimeve trepalëshe në Abu Dhabi

Ukraina njofton një të vrarë dhe 20 të plagosur në Kiev dhe Kharkiv mes bisedimeve trepalëshe në Abu Dhabi

Ukraina tha se të paktën një person është vrarë dhe 23 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore ruse në kryeqytetin Kiev dhe në qytetin Kharkiv, edhe pse në Emiratet e Bashkuara Arabe po zhvillohen negociatat trepalëshe për paqe, transmeton Anadolu.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi në Telegram se si pasojë e sulmeve gjatë natës kanë shpërthyer zjarre në disa ndërtesa në lagje të ndryshme të qytetit.

“Aktualisht, dihet se një person ka humbur jetën dhe katër janë plagosur. Tre nga të plagosurit janë shtruar në spital”, tha Klitschko, duke shtuar se ka ndërprerje të furnizimit me ngrohje dhe ujë në pjesën lindore të qytetit.

Në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, kryetari i bashkisë Ihor Terekhov raportoi për zjarre në ndërtesa banimi dhe tha se një spital dhe një maternitet janë dëmtuar nga sulmet në qytetin verilindor.

Ai theksoi se rrethet Industrialnyi dhe Nemyshlianskyi ishin zonat “më të goditura”, duke shtuar se qyteti ishte në shënjestër të 25 dronëve rusë.

Terekhov njoftoi fillimisht për shtatë të plagosur, përpara se të thoshte se numri i tyre ishte rritur në 19.

Autoritetet ruse nuk kanë komentuar ende mbi sulmet.

Raportimet erdhën ndërsa Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja të premten përfunduan ditën e parë të bisedimeve trepalëshe dyditore në kryeqytetin e Emirateve, Abu Dhabi.

Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, tha në rrjetet sociale se bisedimet janë përqendruar në përcaktimin e parametrave për përfundimin e konfliktit me “një paqe dinjitoze dhe të qëndrueshme”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass se përpjekjet për zgjidhjen e luftës po “përparojnë”, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të asaj që ai e quajti “formula e Anchorage”, në referencë të takimit të mbajtur gushtin e kaluar në shtetin amerikan Alaska mes presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

MARKETING