(VIDEO) Raporti i Transparency International, RMV 12 vende më poshtë në indeksin e korrupsionit
Pasi Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie për 12 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, kanë reagur ashpër partitë opozitare shqiptare.
Bashkimi Demokratik për Integrim e cilëson këtë situatë si dështim të qeverisë dhe kërcënim serioz për sigurinë e shtetit. Partia vlerësonë se kjo rënie e thellë reflekton humbjen e besimit si të qytetarëve ashtu edhe të faktorëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve shtetërore.
BASHKIMI DEMORKATIK PËR INTEGRIM
“Kjo rënie drastike është tregues i qartë i humbjes së besimit publik dhe ndërkombëtar ndaj institucioneve shtetërore. Si opozitë, vlerësojmë se kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar të luftojë korrupsionin, por me veprimet e saj e ka normalizuar atë”.
E, nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit theksojnë se rënia e Maqedonisë së Veriut në Indeksin e Korrupsionit është alarm serioz institucional.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Fakti që vendi humb 12 pozita me vetëm dy pikë më pak krahasuar me vitin 2023 tregon qartë se problemi nuk është statistik, por politik dhe institucional”.
Sipas tyre ky regres lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet e kontestuara në Kodin Penal, të cilat u perceptuan gjerësisht si ndërhyrje për amnisti të fshehtë dhe mbrojtje të funksionarëve të korruptuar.
Kujtojmë se sipas raportit më të fundit të organizatës ndërkombëtare Transparency International për vitin 2024, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 12 vendeve, duke u renditur në vendin e 88-të nga 180 shtete, me vetëm 40 pikë.
Samir Mustafa /SHENJA/

