(VIDEO) Gjykatësi i Apelit nën hetim nga prokuroria prej një viti
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Oganizuar dhe Korrupsionit ka dhënë detaje të reja, për rastin e gjykatësit të dyshuar të Apelit, në shtëpinë e prindërve të të cilit u gjetën 350 000 euro, në brifingun e sotëm me gazetarë.
Prokurorja e lëndës, Iskra Haxhi Vasileva u shpreh se hetimet për këtë rast kanë zgjatur pothuajse një vit. Megjithatë, konturet më serioze të rastit siç tha ajo, filluan me lëndën e ish Avokatit të Shtetit, Fehmi Stafa. Ndërkaq, thekson se Prokuroria nuk vërteton dot se paratë e rastit të Stafas, kanë përfunduar tek gjykatësi Ristov.
Iskra Haxhi Vasileva, prokurore e lëndës
“Nuk ka prova konkrete që gjyqtari i ka marrë këto para. Fehmi Stafës nuk iu vunë kurrë masa të veçanta hetuese. Ka dëshmi të tjera, do të shohim se çfarë do të sjellë hetimi, Gjoko Ristov nuk iu vunë kurrë masa të veçanta hetuese. Kontrollet financiare dhe një hetim financiar janë duke vazhduar”.
Po ashtu prokurorja sqaroi edhe procesin e bastisjes në shtëpinë e prindërve të gjykatësit Gjoko Ristov dhe gjetjen e parave dhe shoi se ato nuk u gjetën për herën e parë për në bastisjen e dytë. Shtoi se shumica e banknotave ishin 500 euroshe.
Iskra Haxhi Vasileva, prokurore e lëndës
“U vërejt çimento më e freskët. Kur u pyetën a kenë bërë ndonjë ndërtim së fundmi, ata u përgjigjën jo. Pllaka të ndryshme që nuk përputheshin dhe ishin të thyera. U munduam në mënyrë sa më elegante të ndërhynim, u paraqit një gropë, gropa u zgjerua dhe filluan të binin para”.
Për deklaratën e prindërve të gjykatësit të dhënë një ditë më parë se paratë e gjetura në shtëpinë e tyre, janë të fituara nga bujqësia, prokurorja tha se nuk e ka bindur kjo deklaratë e tyre.
Iskra Haxhi Vasileva, prokurore e lëndës
“Deklarata e prindërve se paratë janë të tyre nuk më bindi, as nuk më duket e besueshme, mbrojtja se janë nga prindërit ose nga bujqësia nuk më bind”.
Më shumë detaje për këtë rast nga prokuroria thanë se do të japin pasi të formojnë aktakuzë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

