Aksident fatal në magjistralen Deve Bair – Kriva Pallankë, humb jetën një shtetas i Kosovës
Një aksident fatal trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Deve Bair – Kriva Pallankë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth orës 04:50, në zonën e fshatit Uzem, një kamion me targa të Kosovës ka dalë nga rruga dhe ka rënë në greminë. Si pasojë, ka humbur jetën shoferi i kamionit, 56 vjeç, shtetas i Kosovës.
Vdekja është konstatuar nga Ndihma e Shpejtë, ndërsa policia ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për autopsi.
Shkaqet e aksidentit janë ende të panjohura dhe po hetohen nga autoritetet. MPB u bën apel shoferëve për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë udhëtimeve të natës.

