(VIDEO) Prokurori Anel Fidovski zgjidhet kryetar i Prokurorisë së Shkupit
“Rezultatet janë të qarta, Anel Fidovski mori shtatë vota “pro” dhe ne do ta mbështesim”, kështu tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, pas seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë në të cilën Fidovski u zgjodh shef i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, në vend të Gavril Bubevskit.
Bashkim Besimi, kryetar i Këshillit të Prokurorëve
“Prokurori i zgjedhur faktikisht ishte në intervistë tregoi rezultate të mira, prandaj disa anëtarë vlerësuan se atij duhet t’i jepet shanca dhe tashmë ja dhamë shansin”.
Lidhur me votën “abstenim” që ai hodhi për shefin aktual të Prokurorisë së Shkupit, i cili synonte edhe një mandat tjetër, Bubevskin, Besimi sqaroi se kjo mënyrë e shprehjes është e zakonshme në Këshill, megjithëse në korrnizën ligjore nuk është e definuar me precizitet.
Bashkim Besimi, kryetar i Këshillit të Prokurorëve
“Shpesh votohet ‘abstenoj’. Kjo nuk specifikohet në ligj, dhe ne këmbëngulim që kjo të rregullohet në ligjin e ri, në mënyrë që të definohet qartë”.
Në të njëjtën seancë, anëtarët e Këshillit morën vendim edhe për pozicionin drejtues në Tetovë. Me 10 vota “pro”, Besir Aliu u zgjodh kreu i ri i Prokurorisë Themelore Publike të Tetovës.
Për pozicionin e kreut të Prokurorisë së Shkupit aplikuan gjithsej pesë kandidatë. Përveç Fidoskit, në garë ishin edhe shefi aktual, prokurori Gavril Bubevski, si dhe Tanja Trajçevska, Dejan Petreski dhe Spasenka Andonova.
Fidoski mori mbështetjen më të madhe nga anëtarët e Këshillit dhe u zgjodh shef i ri i Prokurorisë Publike të Shkupit me shtatë vota “për”. Bubevski mori pesë vota “për”, Trajçevska dhe Andonova morën nga një votë, ndërsa Petreski nuk mori asnjë votë “për”.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

