(VIDEO) 40.000 euro gjoba për marketet, kishin ushqime të skaduara

(VIDEO) 40.000 euro gjoba për marketet, kishin ushqime të skaduara

Rreth 40.000 euro është vlera totale e 22 gjobave që shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë u shqiptuan operatorëve të ushqimit, në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme të realizuara në markete dhe hipermarkete në të gjithë territorin e vendit.

Siç thuhet në njoftimin e AUV-së, në aksionin që u zhvillua nga 13 deri më 16 janar të këtij viti, janë kontrolluar 188 operatorë të ushqimit nga kjo kategori.

Agjencia informoi se te 10 operatorë, gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje më të lehta nga fusha e sigurisë ushqimore, si mosndarja e duhur e pajisjeve frigoriferike, deklarata të paqarta dhe të palexueshme të produkteve, për të cilat janë shqiptuar masa paralajmërimi, ndërsa në dy markete është konstatuar se punonjësit nuk posedonin libreza sanitare.

Nga AUV-ja shtojnë se te gjashtë nga marketet e kontrolluara është konstatuar se nuk kanë të implementuara procedura për zbatimin e rregullave të Praktikës së Mirë Prodhuese dhe Praktikës së Mirë Higjienike, ndërsa në 14 markete është gjetur ushqim me afat të skaduar.

Si ushqim i pasigurt, në kuadër të këtij aksioni të Agjencisë, nga operatorët janë konfiskuar dhe asgjësuar në mënyrë të sigurt mbi 253 kilogramë mish dhe produkte të mishit, produkte qumështi dhe lloje të tjera produktesh. /SHENJA/

MARKETING