DAP: Zero tolerancë për korrupsion, prezumim i pafajësisë për të gjitha veprimet
Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) njofton se vazhdimisht bashkëpunon me institucionet kompetente në të gjitha rastet kur ekzistojnë dyshime për veprime joligjore në fushën e tatimeve. Lidhur me rastin aktual që përfshin 11 të punësuar, DAP thekson se është në bashkëpunim të plotë dhe të vazhdueshëm me Prokurorinë, duke siguruar dhe dorëzuar dokumentacion të plotë, materiale relevante si dhe sqarime profesionale mbi rregulloret dhe procedurat tatimore.
“Nuk ka asnjë kompromis kur bëhet fjalë për veprime të paligjshme, keqpërdorim apo korrupsion. Fenomene të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me parimet profesionale dhe etike të Drejtorisë për të Ardhura Publike,” thuhet në njoftimin zyrtar të DAP-it.
Ndërkohë, Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka realizuar një aksion të gjerë në 16 lokacione në mbarë vendin. Nën hetim janë 20 persona, të dyshuar se përmes keqpërdorimeve në Drejtorinë për të Ardhura Publike kanë shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 4.8 milionë euro, respektivisht 297.733.844 denarë. Sipas hetimeve fillestare, organizatori kryesor i kësaj afere dyshohet të jetë një shtetas i Serbisë.
Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për 10 persona, ndërsa për 10 të tjerë masa kujdesi. Gjykata Penale ka miratuar paraburgim 30-ditor për tetë persona të përfshirë në rast, për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët si dhe mundësisë së përsëritjes ose përfundimit të veprës penale.

