(VIDEO) Nesër në mesditë takimi i liderëve, opozita në mëdyshje
Të mërkurën në mesditë pritet të mbahet takimi i liderëve, i thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski në takim përveç Qeverisë teknike, do të diskutohen edhe tema të tjera siç janë ligjet që lidhen me agjendën reformuese, zgjedhja e Avokatit të Popullit, Kodi Zgjedhor e të tjera.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar partnerët e koalicionit qeverisës, koalicioni VLEN dhe partia ZNAM, ndërsa nga opozita ftesën e ka pranuar partia Levica. Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe e refuzoi ftesën ende pa e dërguar formalisht kryeministri te liderët e partive.
Nga koalicioni VLEN në takim do të marrë pjesë njëri nga liderët e koalicionit, Bilall Kasami dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku. I pyetur për qëndrimin e koalicionit për Qeverinë teknike, që është edhe tema kryesore e këtij takimi, Qoku tha se VLEN mbështet idenë për shfuqizimin e qeverisë teknike.
Bekim Qoku, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it
“VLEN mendon që koha kur shteti u detyrua të ketë Qeveri teknike sipas Marrëvshjes Përzhinos ishte koha kur vendi ndodhej në një modus krize, kur kriza që u shkaktua nga Qeveria e Mijallkovit dhe Gruevskit bashkë me BDI-në e Ali Ahmetit, Musa Xhaferit dhe Blerim Bexhetit. Këta figura dhe kjo krizë nuk është më dhe shteti dhe administrata publike është e aftë të organzoj zgjedhje kredibile, të drejta dhe të rregullta”.
Në takimin e thirrur nga kryeministri, partia Znam ka konfirmuar se do të përfaqësohet nga kryetari Maksim Dimitrievski dhe partia Levica nga kryetari Dimitar Apasiev.
Nga BDI ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në takim ose jo. Kurse LSDM ka refuzuar pjesëmarrjen, duke thënë se nuk ulen në tavolinë me kriminelë dhe se nuk janë pro heqjes së Qeverisë teknike.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

