LSDM: Qeveria e Mickoskit po e çon Maqedoninë drejt izolimit
Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski po e çon Maqedoninë e Veriut drejt izolimit, në vend të integrimit euroatlantik, akuzojnë nga LSDM.
Sipas opozitës, bashkëpunëtori i ngushtë i Mickoskit dhe zëvendëskryeministër, Ivan Stoilkovic, me qëndrimet e tij pro-ruse dhe lidhjet me Moskën përbën rrezik për orientimin euroatlantik të vendit. Ata rikujtojnë se Stoilkovic së fundmi mori pjesë në festimin e Ditës së Republikës Serbe, ku ishte i pranishëm edhe grupi “Ujqërit e Natës”, i njohur për mbështetje ndaj Putinit dhe narrativa anti-perëndimore.
LSDM thekson se, pavarësisht deklaratave për bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në, kryeministri Mickoski me veprimet dhe lidhjet e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq po e largon vendin nga rruga evropiane. Sipas tyre, reformat e BE-së po shmangen qëllimisht, ndërsa negociatat po bllokohen me pretekste të rreme.
Nga LSDM rikujtojnë se sipas hulumtimeve të vitit 2025, 70 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE, ndërsa 77 për qind e shohin pozitivisht anëtarësimin në NATO.

