(VIDEO) Ligji i ri ndalesa më rigoroze për duhanin, gjoba deri në 5.000 euro

(VIDEO) Ligji i ri ndalesa më rigoroze për duhanin, gjoba deri në 5.000 euro

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se projektligji për mbrojtje nga duhani është publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve, duke hapur zyrtarisht debatin publik. Ligji parashikon ndalim të plotë të pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura, përfshirë cigaret elektronike. Pirja e duhanit do të lejohet vetëm në hapësira të hapura, të përcaktuara rreptësisht, pa xhama, pa mbulesa dhe pa ndarje të improvizuara.

Ndalimi përfshin institucionet shëndetësore, arsimore dhe shtetërore, vendet e punës, restorantet, kafenetë dhe baret, transportin publik (përfshirë taksitë), hapësirat e përbashkëta në ndërtesat e banimit, si dhe automjetet private nëse në to ndodhet një fëmijë.

Ligji ndalon plotësisht reklamimin dhe promovimin e duhanit dhe produkteve me nikotinë, përfshirë rrjetet sociale, influencuesit dhe sponsorizimet nga industria e duhanit. Po ashtu, ndalohen shitjet për të miturit, shitja e cigareve “me copë”, shitja online dhe përmes automatëve, ndërsa produktet e duhanit nuk guxojnë të ekspozohen në dyqane.

Ndalohet prodhimi dhe shitja e produkteve me aroma mentoli, frutash dhe shije artificiale, me synim mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve. Kontrollet do të ashpërsohen, ndërsa për shkeljet parashikohen edhe mbyllje të përkohshme të objekteve.

Shkelësit do të përballen me gjoba të rënda: nga 2.000 deri në 5.000 euro për persona juridikë, deri në 2.000 euro për persona përgjegjës dhe 100 euro gjobë në vend për persona fizikë. Megjithatë, ligji parashikon edhe mundësi alternative për shlyerjen e dënimit përmes punës me interes publik ose kontributit financiar për fushata shëndetësore.  /SHENJA/

 

MARKETING