Aliu: BDI nuk ka justifikim politik të flasë për karakterin unitar të shtetit
Analisti politik Qenan Aliu, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, deklaroi se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka asnjë justifikim politik për t’u thirrur në karakterin unitar të shtetit.
Sipas Aliut, një Kongres partiak nuk duhet të vlerësohet vetëm nga aspekti vizual apo ikonografia e sallës ku mbahet, por mbi të gjitha nga pesha politike e dokumenteve që miratohen në të.
Ai theksoi se BDI-ja, sipas tij, është partia e vetme në historinë e pluralizmit në Maqedoninë e Veriut që tezën e karakterit unitar të shtetit e ka artikuluar në mënyrë “brutale dhe infantile”.
“Ashtu siç tha edhe z. Luma, çdo kryeministër dhe çdo qeveri angazhohet për karakterin unitar të shtetit. Por nuk ka asnjë justifikim politik që një parti serioze si BDI-ja të thirret në këtë tezë”, deklaroi Aliu.
Ai shtoi se nga numri i përgjithshëm i shteteve të regjistruara në Kombet e Bashkuara, shumica dërrmuese e tyre kanë karakter unitar, gjë që, sipas tij, e bën të panevojshëm politizimin e kësaj çështjeje nga ana e BDI-së. /SHENJA/

